Kryesore Thaçi: Të heqim kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edi Rama është miku...

Thaçi: Të heqim kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edi Rama është miku im i zgjedhur

Në konferencën e fund vitit, Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova është e gatshme që qysh sot të heq kufirin dhe doganën dhe çdo barrierë tjetër me Shqipërinë.

“Konfirmoj në emër të institucioneve të Kosovës, Kosova qysh sot jo nesër, qysh sot është e gatshme të marr vendim për heqjen e kufirit dhe doganës dhe çdo barriere tjetër me Shqipërinë, qysh sot, çdo barrierë që kemi mes shteteve të Kosovës nuk ka nevojë të shtyhen nesër. Do të ishte mrekulli sikur viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për të cilën e ftoj mikun tim, kryeministrin Edi Rama të marrë këtë vendim, unë jam gati”, tha Thaçi

Më tej, presidenti shton se nuk mund të presin tekat e shtetit serb.

“Sepse ne nuk mund të presim tekat e Serbisë, është absurditet kur e dimë që diçka e tillë duartrokitet në vendet që nuk e duan të ardhmen e përbashkët të dy shteteve tona, apo, të kërcënimeve boshe që mund të vijnë për këtë akt nga BE plotësisht i lodhur dhe i paaftë. Është shumë ledhatuese për Serbinë dhe Malin e Zi”, tha ai.

Sa i përket raporteve me Edi Ramën pas Samitit të Tiranës, Thaçi ka thënë se vlerëson kontributin e mikut të tij të zgjedhur.

“Ne jemi vëllezër, nuk do të mund të tradhtoj as interesat e Shqipërisë, as për Kosovën sepse të dy shtetet tona funksionojnë si shtete normale, me kushtetuta dhe shtete moderne.

Vlerësoj kontributin e mikut tim, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është miku im i zgjedhur, vlerësoj angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, por, në të njëjtën kohë vlerësoj që Serbia duhet të trajtohet me një tjetër gjuhë, iniciativa duke mos e trajtuar Kosovën si shtet të pavarur i ofrojnë alibi Serbisë për shtyrjen e njohjes”, tha Thaçi.