Bota Merkel propozohet për shefe të Bashkimit Evropian

Merkel propozohet për shefe të Bashkimit Evropian

Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, beson se kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duhet të vazhdojë të luajë rol drejtues në Evropë pasi ta përfundojë mandatin si udhëheqëse e vendit të saj.

Për Renzin, Merkel duhet të marrë rolin e Presidentit të Këshillit të Evropës, apo pozitën e Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, shkruan Euronews. Në librin e tij “Un’altra strada” (Një mënyrë tjetër), ish kryeministri italian ka shkruar: “Do të ishte e dëshirueshme që një figurë udhëheqëse si Angela Merkel, që pasi të largohet nga pozita e Kancelares në muajt e ardhshëm pas 15 vjet udhëheqje të pandërprerë, të mund të vazhdonte që t’i shërbejë Evropës me një kapacitet tjetër”.

“Merkel mund të ishte person i duhur që ta drejtonte Politikën e Jashtme, por që ajo do të ishte edhe kandidate e mirë për Kryetare të Këshillit”.

“Evropianët duhet të kërkojnë që Angela Merkel të jetë Presidente e Këshillit Evropian. Nuk e di nëse do ta bëjnë këtë” shkruan në librin e Renzi. Aktualisht pozitën e kryetarit të Këshillit të Evropës e mban Donald Tusk, ndërsa atë të Shefes për Politike të Jashtme, Federica Mogherini.