Kriza e virusit korona ka një ndikim masiv në shumë kompani. Qeveria gjermane premton shuma të mëdha ndihme si kurrë më parë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje të shtunën qytetarëve të reduktojnë kontaktet me njëri-tjetrin.
“Është koha kur të gjithë mund të dëshmojmë sesa mendojmë dhe sa bëjmë edhe për tjetrin“, tha ndër të tjera kancelarja, në mesazhin e saj me video, të shtunën “Këtë mund ta bëjnë të gjithë sepse disa lidhje këto kohë do të ndërpriten. Për shembull ekspertët na thonë që gjyshërit të mos takohen me mbesat e nipërit. Sepse duam të sigurojmë që më të rrezikuarit nga ky virus të mos kenë nevojë të shkojnë në spital, e të mos infektohen fare“. Ajo shtoi: “Gjithkush mund të nidhmojë me sjelljen e tij që të ngadalësohet shpejtësia e infektimit e të mos mbingarkohet sistemi ynë shëndetësor“.
Mbyllen shkollat
Gjermania ende nuk e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin. Por ndërkohë të gjitha landet kanë vendosur gjatë këtyre tri ditëve t’i mbyllin shkollat duke filluar nga dita e hënë. Për fëmijët që i kanë prindërit në profesione kritike, si policë, zjarrfikës, infermierë ose forca shpëtimi, do të vihen në dispozicion struktura kujdestarie.
Disa lande kanë vendosur që ta kufizojnë edhe më shumë jetën publike. Kështu, për shembull, Berlini i ndalon aktivitetet me mbi 50 persona, për aktivitete me më pak njerëz organizatorët duhet të mbajnë lista me emrat e pjesëmarrësve. Lokalet duhet t’i vënë tryezat në distancë prej 1,5 metra nga njëra-tjetra. Kurse palestrat dhe pishinat, si edhe klubet, diskotekat, kinematë, do të mbyllen.
Edhe landi Schleswig-Holstein dhe Landi i Zarës, ka vendosur t’i mbyllë baret, klubet, muzetë, kinematë, pishinat dhe saunat. Veç kësaj ky land ndalon vizitat nëpër strehimoret e të moshuarve. Masa të tilla lajmërohen edhe nga Lande të tjera.
“Asnjë biznes i shëndetshëm të mos rrezikohet”
Qeveria federale gjermane dëshiron të ndihmojë kompanitë me programe kredie të pakufizuara. Këtë e thanë të premten, 13.3.2020, në Berlin, Ministri i Financave, Olaf Scholz (SPD), dhe Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU). Sipas Altmaier, gjysmë trilionë euro mund të vihen në dispozicion nga Banka Shtetërore, KfW, përmes një kornize garancie të rritur në masë të madhe.
Si fillim, qeveria ka vënë në dispozicon të KfË-së 20 miliardë euro. Altmaier theksoi se “asnjë kompani e shëndetshme nuk duhet të falimentojë, e se asnjë vend punë nuk duhet të humbasë për shkak të virusit korona”.
Scholz tha: “Nuk ka kufi të sipërm të shumës së kredisë që KfW mund të japë”. Altmaier tha se “është koha për të vepruar së bashku”. Scholz theksoi: “Vendi ynë po përballet me një situatë shumë të rëndë”. Një ndjenjë e çuditshme është e vetëkuptueshme. Sfidat janë të mëdha. Shkëmbimi global i mallrave është ndërprerë, shkollat janë mbyllur, panairet tregtare janë anuluar. “Kjo krizë na prek të gjithë.” Scholz shtoi më tej: “Kjo është arsyeja pse ne nuk po i japim paratë me pikatore, por me derdhje.”. Në fund, kjo do t’i kushtojë shtetit “dhjetëra miliarda”, shuma e saktë nuk dihet ende.
Ministria Federale e Punës u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që të gjejnë zgjidhje pragmatike me punëmarrësit: Home office, pra punë nga shtëpia, fleksibilitet në orarin e punës, ose t’i dërgojnë punëtorët në pushime, ose në të ashtuquajturën punë të shkurtuar.
Sipas institutit të virologjisë në Berlin, Robert Koch, deri të shtunën në mbrëmje numri i të infektuarve me virusin korona në Gjermani ishte rritur në 3795, pra me 733, në krahasim me një ditë më parë. Tetë persona kanë vdekur si pasojë e virusit. janë shënuar në landin Nordrhein Westfalen qe ka popullsinë më të lartë në Gjermani./DW