Një aksident që mund të kishte përfunduar me pasoja fatale ka ndodhur ditën e sotme, ku janë përfshirë disa personazhe të njohura shqiptare, të fushës së artit dhe jo vetëm, si Ermal Mamaqi, Inva Mula, Hetem Ramadani, Mirela Sula etj.
Mini-busi me të cilin ata po udhëtonin drejt Tropojës ka shpërthyer në flakë rrugës.
“Kjo është makina me të cilin ne ishim nisur për të shkuar në Tropojë dhe Zoti donte që në te shpëtonim, të jemi gjallë. Ermal falë teje jemi gjallë. Imagjino të ishim akoma aty brenda çfarë do ndodhte, ne duhet të jetojmë akoma. Po mos të kishim qenë rob zoti s’do shpëtonim, falë energjisë së mirë. Ua iku furgoni, u zhduk fare. Inva na shpëtoi jetën sot. Ajo na tha të dilnim nga furgoni. Falë teje jemi gjallë. Duhet të ndalojmë zjarrin, se mund të shpërndahet zjarri”, shprehet Mirela Sula në rrjetet sociale.
Fatmirësisht, ata kanë dalë nga makina, ndërsa falenderojnë sopranon Inva Mula që i ka nxitur të dalin pak para se ajo të shpërthente në flakë.
Përveç tronditjes, të gjithë gëzojnë shëndet të plotë dhe kanë mbërritur shëndoshë e mirë në destinacion, ku tashmë po qetësohen.
Sakaq, ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje.