Mbyllet historia e përplasjeve për pronësinë e shtëpive pranë shkollës “Petro Nini”, në kryeqytet.
Pas skenave të pazakonta të para pak ditëve më parë, dy palët që ishin në konflikt kanë rënë dakord, dhe pranë një notereje në Tiranë pikërisht në festën e Sulltan Novruzit, kanë nënshkruar marrëveshjen ku familjeve i janë dhuruar dy hyrje.
Hyrjet janë dhuruar nga Aleksandër Gavoçi, 150 m2 tek Kopshti Botanik dhe 160 m2 tek Liqeni i Thatë.
Në një deklaratë për media, përfaqësuesi i familjeve Luan Llapaj dhe dy avokatët deklaruan se konfliktet kanë ndodhur si pasojë e politikave të shtetit për pronat, shtëpitë do të lirohen në momentin që banesat e reja do të përfundojnë dhe do të behën pronarë të tyre.
Llapaj: Fajin e ka shteti që tokën dhe oborrin o të ma jepte mua, o atij. Nuk kishte fare konflikt.
Avokati: Problemi ishte shteti. Falë ndihmës së mediave, por edhe dashamirësisë së zotit Gavoçi u arrit të mundësojmë këtë marrëveshje.
Gjithashtu në një prononcim për mediat dhe përfaqësuesit e Aleksandër Gavoçit u shprehën se kanë arritur marrëveshjen me familjarët, ndërsa nga Gavoçi i është ofruar dhe herë të tjera zgjidhje.
Avokati: Sot është arritur kjo marrëveshje, shpresoj që palët të mos tërhiqen.
Përplasja mes familjarëve, përmbaruesve dhe policisë u regjistrua me 11 mars, ndërsa opinioni publik u njoh me pamje të pazakonta.
Ndonëse pretendonin më shumë janë të kënaqur që i dhanë fund gjyqeve të nisura 23 vite më parë. Fajin nuk e shohin më tek njëri-tjetri, por tek shteti që sipas tyre duhet të shërbente si rregullator dhe jo nxitës i konflikteve. Gjithçka u mbetet për t’i thënë janë falenderimet dhe ndjesa.