Ndërtim pa leje brenda zonës Arkeologjike të kategorisë A. Ligji për ndërtimet pa leje është ashpërsuar, por kjo nuk duket të këtë trembur një qytetar nga Elbasani i cili, pasi bleu një truall ku ishte ndërtuar një shtëpi e vjetër, mori leje për rikonstruksion pranë Bashkisë Elbasan, me objekt rindërtimin e çatisë, heqjen e dherave dhe ujërave brenda pronës së tij.
Ai nuk respektoi as kontratën noteriale me fqinjët, duke prishur muret ndarëse, hyrë në pronën e tyre dhe duke hapur themele mbi tre metra të thella me qëllimin për të bërë një bodrum apo kat të nëndheshëm.
Në të tilla zona muzeale nuk lejohet të gërmosh me shumë se 30 cm ose në rast të kundërt duhet të bëhet një studim paraprak nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës. Bashkia Elbasan me të marr njoftim ka bllokuar punimet duke i pezulluar për dy muaj, si dhe ka vendosur një gjobë prej 5 milion lekësh kundravajtësit. Gjatë kësaj kohe është Drejtoria e Monumenteve të Kulturës e cila duhet të shprehet nëse do të japë leje apo do të miratojë ndërtimin e bërë deri tani, edhe pse nga kontrolli i ushtruar prej tyre kjo zonë është dëmtuar rëndë.
Ilirjana Ballhysa, përfaqësuese e njërës prej familjeve të dëmtuara nga ky ndërtim tregon se si ky objekt që po ngrihet brenda mureve të kalasë dhe ngjitur më shtëpinë e saj, i ka befasuar të gjithë. Ajo nuk mund ta besojë se si mund të shkelet ligji me të dyja këmbët. Fqinji me të cilin kishin rënë dakord me një kontratë noteriale ka shkelur jo vetëm marrëveshjen mes palëve, por në fshehtësi të plotë ka hapur themele dhe ka ndërtuar pa leje. Ai nuk ka punuar nga dera para shtëpisë por ka bërë çdo gjë larg syve të tyre duke dëmtuar të dy fqinjët në pronat e tyre. Zotëria që ka marrë lejen jeton në Gjermani dhe me të ndodhur kjo problematik nuk është kthyer më. Komshinjtë kanë mbetur pa murin rrethues edhe pse IMT-ja e ka urdhëruar kundravajtësin që ta ndërtoj brenda javës.
Fiksi u interesua edhe pranë Drejtorisë së Monumenteve, dega Elbasan ku shprehen se kanë bërë kontrolle të vazhdueshme dhe kanë njoftuar edhe drejtorinë nga e cila varen, në Durrës. Në përgjigjen që kthejnë me anë të emalit ata tregojnë se me ndryshimet e reja ligjore në këtë zonë është e pamundur të ndërtosh jashtë parametrave që e përcakton ligji dhe pa miratimin e Drejtorisë së Monumenteve. Sipas tyre është duke u bërë një përmbledhje e të gjitha procesverbaleve të mbajtura nga grupet e punës dhe shumë shpejt do të dalin me një përfundim.
Në shkresën drejtuar Fiks Fare shkruhet se “Referuar zonës ku po kryheshin punimet dhe bazuar në ligjin nr. 27/2018 Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, Deklarata Paraprake Për kryerje Punimesh është lëshuar në kundërshtim me ligjin e sipërcituar pasi neni 48, pika 2 shpreh: Lejet zhvillimore, të rikonstruksionit të ndërtesave dhe ato të infrastrukturës në qendrat historike, zonat arkeologjike A, B, duhet të miratohen fillimisht në KKTKM dhe më pas, sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
Në datë 27.12.2018 DRKK-Durrës ka mbajtur proces-verbalin e pezullimit të punimeve, pasi para se të lëshohej leja duhet që projekti të ishte miratuar në institucionet e Ministrisë së Kulturës dhe më pas të procedohej më tej sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
Në një intervistë për Fiksin, drejtori i IMT-së Elbasan Leli Kraja thotë se me marrjen e njoftimit nga Drejtoria e Monumenteve, ata kanë vajtur menjëherë në vendngjarje dhe ka rezultuar se ndërtuesi ka shkelur lejen e dhënë nga bashkia. Leja ishte me objekt rindërtimin e çatisë, heqjen e dherave dhe ujërave brenda pronës së tij. IMT-ja i ka bllokuar punimet, duke i pezulluar për dy muaj si dhe ka vendosur një gjobë prej 5 milion lekësh. Gjatë kësaj kohe është Drejtoria e Monumenteve të Kulturës e cila duhet të shprehet nëse do të japë leje apo do të miratojë ndërtimin e bërë deri tani, edhe pse nga kontrolli i ushtruar prej tyre kjo zonë është dëmtuar rëndë. Bashkia nëse Drejtoria e Monumenteve kthen përgjigje dhe nuk i miraton leje shtesë apo punimet e kryera deri tani do të nxjerrë siç e kërkon ligji një vendim prishje objekti për ta kthyer në gjendjen e mëparshme. Ndërsa për sa i takon murit ndarës ai u shpreh se do flasin me fqinjët dhe me anë të punonjësve të bashkisë do mundohen të ndihmojnë qytetarët të ngrenë murin, pasi zotëria që e ka shembur nuk ndodhet këtu, por në Gjermani.