Kryesore Mes presionit të SHBA dhe Berishës, Basha shtyn mbledhjen me Kryesinë e...

Mes presionit të SHBA dhe Berishës, Basha shtyn mbledhjen me Kryesinë e re

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja e sezonit të ri parlamentar ende nuk ka një njoftim se kur Partia Demokratike do të mbledhë kryesinë e re, nga e cila pritet një qëndrim dhe për marrëdhënien që Basha dhe ekipi i tij do të mbajnë me ish-liderin historik të shpallur non grata nga SHBA.

Burime nga strukturat drejtuese të PD i thanë A2 CNN se mbledhja po shtyhet për shkak të problemeve shëndetësore të njerëzve të afërt të kryetarit. Basha po qëndron gjithnjë e më shumë pranë të atit, që po kalon momente të vështira me shëndetin, pohuan burimet.

Përtej këtyre momenteve jo të lehta familjare, kryedemokrati është edhe nën presion nga partnerët amerikanë, që qartësisht i kishin lënë kohë deri në shtator për t’u distancuar nga Berisha.

Ndonëse në PD nuk ka ende një përgjgije, Berisha e ka bërë të qartë tashmë se sfidon SHBA-të dhe se në 10 shtator do të jetë në parlament si i votuare nga shqiptarët në 25 prill.

Në një intervistë në Euroneës Albania, Berisha tha se PD ka kërkuar transparencë në raport me akuzat që i janë ngritur atij në argumentimin që DASH ka bërë në shpalljen “non grata”.

“Nëse PD do të gjendej para provave, fakteve, dokumenteve për çka Sali Berisha është akuzuar, PD do të bënte gabim historik nëse nuk merrte vendim për përjashtimin e tij nga partia,” – tha Berisha, duke theksuar se partia e tij po bën detyrën kur kërkon prova përpara se të mbajë qëndrim.

I pyetur se si do të vepronte nëse PD do të vendoste për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, Berisha deklaroi se do të bënte gjithçka për të rikthyer Partinë Demokratike në vlerat e saj themeltare, nëse kjo parti do të fillonte të kishte qëndrime joparimore.

“Nëse PD apo kushdo tjetër do ndërmerrte një vendim aparimor, Sali Berisha do bënte gjithçka që PD të bëhej ajo që ka qenë, parti e parimeve. Asnjë lloj kufizimi nuk mund të kem unë në kuadrin ligjor kushtetues për rikthimin e PD në vlerat për të cilat është reformuar”, tha Sali Berisha.