Sport Pique: Pasi nisa të takohesha me Shakirën, marrëdhënia ime me Guardiolën ndryshoi

Pique: Pasi nisa të takohesha me Shakirën, marrëdhënia ime me Guardiolën ndryshoi

Gerard Pique ka zbuluar në një intervistë për “Marca” se marrëdhënia e tij me Pep Guardiolën ndryshoi kur ai nisi të takohej me Shakirën. Dëshira e trajnerit për të kontrolluar gjithçka, gati e detyroi atë të largohej në atë kohë nga Barcelona.

Pique dhe Guardiola kaluan së bashku vitet më të arta te Barcelona mes viteve 2008-2012, atëherë kur arritën të fitojnë 3 tituj në La Liga dhe triumfuan 2 herë në Champions League, kur rivaliteti me Realin ishte i jashtëzakonshëm.

Mbrojtësi i Barcelonës tregon se sa e vështirë ishte të punoje me Guardiola-n në kohën kur rivaliteti i tij me trajnerin e madrilenëve, Jose Mourinho, ishte në kulmin e tij.

Marrëdhënia jonë arriti në një pikë tensioni, po e njëjta situatë ishte edhe në dhomën e zhveshjeve. Rivaliteti me Mourinho-n ishte rraskapitës. Pep donte të kontrollonte absolutisht gjithçka”, tregon Pique, i cili thekson se aktualisht ka një marrëdhënie mjaft të mirë me trajnerin e Manchester City-t.

“Kisha shumë presion dhe duhej që në stërvitje të bëja gjithçka në mënyrë perfekte. Nëse ka pasur një moment në të cilin kam menduar të largohem nga Barça, ishte vera e vitit 2011”, është shprehur Pique.

Pique dhe Shakira nisën të takoheshin në fillim të vitit 2011, pikërisht në pikun e përkushtimit te Barcelona, e cila fitoi atë sezon La Liga-n dhe Champions League.