Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana në një lidhje ‘live’ në Euronews Albania nga Roma, aty ku aktualisht jeton bashkë me familjen e tij, rrëfeu përvojën e jetës në vetizolim, një masë që siç tha secili duhet ta ndërmarrë për të mbrojtur veten dhe të tjerët në këtë periudhë të vështirë epidemie për mbarë botën, por veçanërisht për Italinë, ku numri i viktimave sot i kaloi 600.
“Që prej 2 ditësh dhe sidomos që mbrëmë, pas kërkesës së kryeministrit Conte për të evituar çdo lëvizje për të mirën jo vetë të të afërmve, por edhe të të gjithëve, po rrimë në shtëpi. Nuk po lëvizim nga shtëpia, dalim vetëm për të blerë ushqime. Po mundohemi të zbatojmë izolimin dhe të kemi sa më pak kontakte me njerëz të tjerë”, tha ish-kapiteni.
Ai kishte një mesazh sensibilizues për bashkëkombësit e tij në Shqipëri, të cilëve iu kërkoi të mësojnë nga çfarë ka ndodhur deri tani në Itali, një vend që siç tha, ka një shëndetësi shumë më të zhvilluar e megjithatë gjendet në kolaps
“Të mësojnë se çfarë ka ndodhur deri tani. Ne jemi një vend i vogël, jemi duke e përjetuar këtë situatë pas disa vende që janë duke u përballuar siç është Italia, me një gjendje jashtëzakonisht të vështirë. Një vend i zhvilluar, të cilët sistemin shëndetësor e kanë shumë më të përgatitur se sa ne dhe janë pothuajse në gjendje kaosi, pothuajse në gjendje gati kolapsi në disa zona.
Që mos të përballemi me të njëjtën gjë secili mund të bëjë gjëra të vogla, duke filluar nga higjiena, duke filluar nga ato që i keni dëgjuar; larja e duarve, duke mbajtur distancë kur teshtijmë, kur kollitemi, duke mos u gjendur në lokale të mbyllura me shumë njerëz dhe thjesht duke bërë secili nga pak të ndryshojmë ato zakonet tona, sepse këto gjëra nëse secili si individ t’i realizojë, atëherë mund ta ngadalësojmë dhe të tejkalojmë sa më shpejtë këtë situatë, e cila për momentin do jetë e vështirë dhe mund të jetë shumë e vështirë në të ardhmen, por në qoftë se ne përgatitemi, atëherë do ta kalojmë me lehtësi”, tha Lorik Cana.