Surpriza e madhe e kësaj fundjave (pas humbjes së thellë 5-1 të Bayernit) vjen nga La Liga, ku kampionët në fuqi të Barcelonës u mposhtën 3-1 nga Levante në transfertë.Edhe pse “tredhëmbëshi” i frikshëm Messi-Suarez-Griezmann u hodh në fushë që nga minuta e parë nga Valverde dhe Barcelona e mbylli pjesën e parë në epërsi me gol të Messit me penallti, “blaugranat” u fikën në pjesën e dytë, duke pësuar 3 gola brenda 7 minutave lojë.
Barcelona la për të dëshiruar në lojën e sajë në prapavijë, duke kryer gabimeve të pafalshme, sikurse ndodhi në rastin e golit të parë (61’) kur Pique e largoi keq topin dhe në vazhdim të aksionit përfitoi Campana, duke barazuar rezultatin.
Vetëm dy minuta më vonë Mayoral shkarkoi të djathtën nga jashtë zonës, me Ter Stegen që s’mund të bënte asgjë, pasi topi përfundoi në trekëndësh.
Por Levante nuk u ndal me kaq. Në minutën e 74-t, Radoja, i ndihmuar edhe nga devijimi i lehtë i Busquets, kompletoi përmbysjen e madhe, duke vulosur shifrat në 3-1.
Edhe në sfidë u pa qartë se dyshja Messi-Griezmann nuk funksionin, ndërsa largimi para kohe nga fusha i Suarezit për arsye fizike (41’) uli dramatikisht forcën goditëse të Barcelonës.
Fitore më përmbysje 1-2 e Valencias në fushën e Espanyolit. Pavarësisht avantazhit të vendasve me 11-metërshin e shndërruar në gol nga Roca në pjesën e parë, miqtë reaguan në fraksionin e dytë me finalizimet e Parejos (11-m) dhe Gomez.
Sport Messi-Griezmann nuk funksionon, Barcelona turpërohet nga Levante