Lot në ditën e fundit të tij në Camp Nou. Lionel Messi e pati mjaft të vështirë ndarjen me klubin ku jetoi për 21 vite. Në sallën e konferencave ishte i gjithë ekipi i Barcelona ku Messi fitoi 34 trofe dhe 6 Topa të Artë.
“Është një moment i vështirë. Kam kaluar shumë vite këtu, pozitivë dhe negativë. Ëndrra ime u bë realitet këtu. Ajo që erdhi pas ishte e mrekullueshme. Erdha këtu kur isha fëmijë dhe tani jam një burrë, kam një grua dhe 3 djem. Një jetë. Kam premtuar që do të kthehem”.
Lideri i katalanasve për shumë vite sqaroi pse nuk rinovoi, pasi rregullat e Ligës nuk e lejuan.
“I ka thënë të gjitha presidenti Laporta. Ishte gjitha e parashikuar, por nuk e lejoi Liga, nuk hodhëm dot firmat në kontratë. Unë e ula pagën time me 50%, por nuk mjaftoi”.
Lionel Messi foli edhe për të ardhmen e tij që nuk është vendosur.
“Parisi është një mundësi. Në këtë moment nuk e kam mbyllur me asnjë. Klube të ndryshëm u interesuan pas komunikatës së Barcelona, por nuk ka përfunduar asgjë. Po bisedojmë”.
Tifozë të shumtë ndodheshin jashtë stadiumit.
Pjesa më e madhe e mediave ndërkombëtare shkruajnë se Paris Saint Germain do të jetë ekipi i ardhshëm i Lionel Messi, ku pritet të firmosë për 2 vite me opsion zgjatjen edhe me një të tretë.