Bota Ende jashtë kontrollit zjarret në Greqi

Ende jashtë kontrollit zjarret në Greqi

Zjarrfikësit nuk po arrijnë t’i venë dot nën kontroll flakët, në dy vatrat më të mëdha të momentit, asaj në veri të Athinës dhe në ishullin Eubea.

Ekipet e emergjencës kanë evakuuar deri më tani me mijëra banorë nga lagjet periferike të Athinës, teksa flakët po përparojnë drejt brendësisë së kryeqytetit grek. Flakët po përparojnë me ritme të frikshme të ndihmuara nga erërat e forta, teksa ato po përpijnë gjithmonë e më shumë shtëpi në lagjen Thrakomakedones.

Banorët po marrin arratinë edhe nga vatra e ishullit Eubea, nga ku ata po evakuohen përmes trageteve, pasi rrugët automobilistike janë të pakalueshme nga zjarret. Vatra këtu është më e madhe se ajo e Athinës dhe më e madhja në të gjithë vendin. Qeveria ka ngritur qendra të mëdha për strehimin e mijëra banorëve të ishullit.

Kryeministri Kirjakos Mitsotakis, teksa vizitoi qendrat e emergjencës, premtoi se shumë shpejt do të nisë puna për rimëkëmbjen nga katastrofat natyrore.

Greqia ka marrë ndihmë edhe nga vende si Franca, Suedia e Qipro, teksa 150 vatra anekënd vendit po mbushin një javë që janë aktive, ndërsa kanë shkaktuar 1 viktimë, dhjetëra të plagosur e mijëra të shpërngulur.