E diel fatale për Barcelonën në “Santiago Bernabéu”. Jo vetëm për rezultatin dhe ndjesitë e ofruara nga skuadra, por për sinjalet e këqija që lëshon Leo Messi. Argjentinasi, i mësuar të bënte ligjin në “Chamartín”, u zhduk praktikisht të dielën në mbrëmje. Lajmi më i keq për një ekip, që ka fituar prej një kohe të gjatë falë tij.
Puna mbrojtëse e “merengues” për ta ndaluar atë ishte e lavdërueshme. Sidoqoftë, mjaftoi kjo ndeshje, që të pasqyrohej në mënyrë të përkryer pafuqia e Messit ndaj Real Madridit. Frenkie de Jong dha një top të bukur për “La Pulga”, i cili u gjend vetëm përballë Courtois, por Marcelo u shfaq me shpejtësinë e “plumbit” për të bllokuar argjentinasin.
Festimi i brazilianit, pothuajse sikur të kishte shënuar një gol, ishte tregues i rëndësisë së asaj që sapo kishte ndodhur. Real Madridi sapo kishte avancuar në tabelën e rezultatit dhe ajo ndërhyrje vendimtare e Marcelo i pengoi katalanasit të ktheheshin në garë. Ai gjithashtu i bëri të qartë Barcelonës se ylli i saj nuk është më si dikur, ose të paktën jo në nivelin e viteve të kaluara. Në fakt, heshtja që ndodhi në “Santiago Bernabéu”, ishte shenja më e mirë e frikës ndaj argjentinasit, nga i cili Los Blancos kanë vuajtur shumë.
Sa i përket Marcelo, performanca i jep krahë atij në një sezon, ku ka humbur rëndësinë. Ai nuk luajti në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit deri më tani, ndaj Manchester City,dhe shenjat ishin të mos aktivizohej as mbrëmë. Zidane i befasoi të gjithë dhe Marcelo u përgjigj me një veprim vendimtar.
Me ndeshjen e fundit, Messi tashmë ka pesë “El Clasico” radhazi pa shënuar. Një thatësirë atipike për një futbollist aq vendimtar sa ai. Argjentinasi, i cili ka shënuar 26 gola në portën e Real Madridit, gjatë gjithë karrierës së tij, kur ka luajtur 42 “El Clasico”, nuk ishte në gjendje ta ndëshkonte rivalin më të madh të katalanasve.
Hera e fundit që Lionel ka shënuar në një “El Clasico” ishte në sezonin 2017-2018, gati dy vite më parë. Nëse flasim për golin e tij të fundit në “Santiago Bernabéu”, sot, saktësisht, plotësohen 800 ditë nga ajo datë. Ishte Real Madrid-Barcelona 0-3, në La Liga”.