Tri të dhëna e vërtetojnë diçka. Ose më shumë se gjithçka tjetër: tri shtëpi e provojnë atë… Seriozisht, deri më tani është e sigurt që familja “Messi” ka “zënë rrënjë” në Milano me një çift investimesh në pasuritë e paluajtshme, që na kanë lejuar të përqendrohemi edhe në konturet e një transferimi të mundshëm të gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë” në “San Siro”. Për këtë gjë, tek Interi ka rezerva absolute, por bota zikaltër ëndërron. Gjithashtu, sepse projektet kineze konfirmojnë se rreth Suning ka shumë sponsorë të interesuar për të hyrë në një “Big Deal” të tillë. Por kjo dihej tashmë. Ditët e fundit ka sinjale të mëtejshme nga Barcelona. “Pleshti”, edhe kundër Napolit tregoi stigmatikën e kampionit. Një ndeshje tjetër, që provoi se si katalanasit mund të jenë vetëm në këmbët e tij. Dhe mendimi unanim është se “Mbreti Leo” është i lidhur me mbretërinë e tij. Pra, ka lindur për Barcelonën. Megjithatë, me javë të tëra, heshtja e tij duket se i godet këto siguri.
Lautaro dhe ambiciet
Para Covid-19, komplimentet e Leos për Lautaro Martinez ishin publike. Një “sponsorizim” që e shtyu Bartomeu të trokasë në dyert e Interit për të nënshkruar me “Toro”. Por ai angazhim dështoi dhe ndërkohë, kampioni nga Rosario nuk e priti mirë. Thashethemet e njohura në Barcelona janë të zakonshme: “Presidentin e ri e zgjedh Leo”. Kjo është edhe arsyeja pse katalanasit shpresojnë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do ta shtyjnë argjentinasin të mos largohet nga shtëpia. Edhe pse sinjalet janë të ndryshme. Në ëndrrat e tifozëve, gara europiane e Lukakut dhe shokëve të tij të skuadrës mund ta joshin Messin që të zbarkojë në “Appiano Gentile”. Ide naive? Deri në një pikë të caktuar. Në kokën e gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë” vërshojnë mijëra mendime, madje të një natyre teknike. Kjo, për shkak se transferimi i tij nuk është i realizueshëm vetëm nga këndvështrimi ekonomik, është e nevojshme që shkëndija e famshme të ndizet. Një kampion si Messi duhet të zhvillojë bindjen se një sfidë e re ia vlen vërtet.
Gatimi i ngadaltë
Motori i gjithçkaje është ambicia. Dhe në këtë drejtim, Interi i familjes “Zhang” ka pak të barabartë në botë. Por, tani për tani, këto koncepte duhet të shprehen në heshtje, sepse nga “Viale della Liberazione” askush nuk dëshiron të krijojë iluzione të kota. Duke thënë se Messi dhe Milano lidhen nga shtëpitë e blera aty, nga çështjet e tjera jashtë futbollit, është po aq e vërtetë sa shkëputja e Leos nga bota Blaugrana përfshin disa hapa shumë delikatë. Dhe nuk merret si e mirëqenë që gjithçka të ndodhë menjëherë. Ndoshta mund të ndodhë që plani të shtyhet për vitin 2021, duke pasur parasysh që tani, një klauzolë prej 700 milionë euro do të duhej të paguhej. Me pak fjalë, gatimi është me nxehtësi të ulët.