Lionel Messi do të mbyllë vitin 2018 në nivelin maksimal. Kapiteni i Barcelonës i është kthyer normalitetit, pas dëmtimit në bërryl të pësuar në ndeshjen me Sevillën, e që e mbajti atë jashtë fushave për 3 javë.
Në dy ndeshjet e fundit të Barcelonës, ndaj Espanyolit dhe Levantes, argjentinasi ka qenë protagonisti absolut i katalanasve, teksa ka shënuar 5 nga 9 golat e ekipit, ndërkohë që ka edhe një ndeshje për të luajtur për këtë vit, atë me Celtën në “Camp Nou” të dielën.
Në sezonin 2018-2019, Messi ka zhvilluar 19 ndeshje, duke shënuar një bilanc me 20 gola dhe 12 asiste. Këto numra e bëjnë atë shënuesin më të mirë në La Liga, me 14 gola, dhe pasuesin më të mirë me 10 asiste. Për më tepër, ai është edhe goleadori dhe pasuesi më i mirë edhe në të 5 kampionatet kryesore europiane.
Për sa u përket 12 muajve, shifrat e Messit janë vërtet të shkëlqyera. Në 48 ndeshje, ai ka 46 gola dhe 23 asiste. Nëse këtyre statistikave u shtojmë edhe ato të regjistruara me fanellën e Argjentinës, atëherë bilanci i Messit shkon në 50 gola e 26 asiste, në 53 ndeshje të zhvilluara.