Rivaliteti mes argjentinasit Lionel Messi dhe portugezit Cristiano Ronaldo ka qenë i jashtëzakonshëm në vitet e fundit.
Por ndërsa “pleshti” vijon të mbajë veshur bluzën e Barcelonës, Ronaldo e braktisi Realin dhe La Ligan në merkaton e verës së kaluar, kur zgjodhi ta vijonte karrirën në Serie A me Juventusin.
Pa Ronaldon, Messi por mbi të gjitha Barcelona e ka pasur më të lehtë përballimin e këtij sezoni në La Liga. Por sigurisht, mungesa e portugezit i ka humbur pikë “El Clasico”-s dhe këtë e ka pranuar edhe Messi.
Argjentinasi ka dhënë së fundmi një intervistë për mediat e njohur në atdheun e tij, Tyc Sport, ku ka bërë edhe një vlerësim për futbollistët më të mirë në botë.
“Nëse më duhet të them emrat e disa futbollistëve më të mëdhenj të momentit, do të veçoja Neymar, Mbappe, Suarez dhe Aguero. Ronaldon e vë në një tjetër nivel, bashkë me mua. Duhet ta pranoj se më mungon rivaliteti me të në Spanjë. Nuk e di a do të takohemi në finale, pasi më parë shpresoj të shkojmë deri aty”, deklaroi argjentinasi.