Argjentina u hakmor ndaj Kilit mbrëmjen e së shtunës duke e mposhtur 2-1 në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt në Kupën e Amerikës së Jugut, por lajmi që bëri më shumë bujë ishte kartoni i kuq i Lionel Messit në fundin e pjesës së parë.
Por ylli argjentinas nuk u ndal aty. Ai nuk mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve në fundin e ndeshjes dhe për këtë u pyet më pas nga gazetarët, duke lëshuar akuza të rënda ndaj vendit organizator, Brazilit dhe Conmebol.
“Nuk e mora medaljen se nuk dua të bëhem pjesë e korrupsionit, e mënyrës si na kanë trajtuar në këtë garë. Largohemi me kokën lart, sepse me atë që treguam, duke qenë superiorë ndaj Brazilit, meritonim të shkonim në finale”, tha sulmuesi.
Gjithçka nisi pas ndeshjes me Brazilin ku vendasit fituan 2-0, ndërsa Messi akuzoi arbitrit se i mohoi dy penallti Argjentinës. Më tej, ylli i Barcelonës tha se di edhe kush do të dalë kampion! “Është e qartë që Brazili do të dalë kampion, gjithçka është gatuar ashtu. Edhe nëse gjyqtarët nuk do ndikojnë, Peruja mendoj se nuk ka shumë shanse. Unë them gjithnjë të vërtetën, kështu jam i qetë. Kartoni i kuq ka qenë për fjalët që thashë pas ndeshjes me Brazilin”, është shprehur Lionel Messi.