Politika “Mësuesit shkarkohen për statuset në Facebook”, Berisha: Numërojmë 208 mijë fëmijë më...

“Mësuesit shkarkohen për statuset në Facebook”, Berisha: Numërojmë 208 mijë fëmijë më pak në shkolla

Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me ekspertë të arsimit dhe mësues, me të cilët diskutoi për gjendjen në të cilën ndodhen sistemi ynë arsimor.

Kreu i PD deklaroi se për shkak të largimit të qytetarëve nga Shqipëria, sot në shkolla po studiojnë 208 mijë fëmijë më pak, krahasuar me 9 vite më parë.

Gjithashtu ai shtoi se figura e mësuesit po shpërfillet pasi qeveria ka vendosur një kontroll të turpshëm mbi ta.

“Nga 9 vite më parë, ne numërojmë 208 mijë fëmijë, nxënës, studentë më pak në shkollat tona. Kemi një rrokullisje prej 27%. Dhe ju jeni dëshmitarë të gjendjes reale të nxënësve, gjendjes familjare, mes fshatit dhe qytetit, mes të mëkëmburve dhe të varfërve, kemi një shpërfillje ndaj figurës së misionarit të këtij procesi që është mësuesi. Kemi një ndryshim thelbësor në filozofinë e edukimit.

Gradualisht është spostuar edukimi i bazuar në vlerat, liritë, dinjitetit, me edukimin e nënshtrimit të bazuar në nënshtrim. Është vendosur një kontroll i turpshëm mbi mësuesin. Qëndrimet e tyre në median sociale janë jo të pakta rastet kur ata janë pushuar, apo transferuar për statuset në Facebook-un e tyre”, tha Berisha.