Në Kinë ndodhen rreth 400 shqiptarë, mes tyre 60 studentë dhe të tjerët që mendohet se punojnë në vendin më të madh aziatik. Këtë e konfirmon Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa thekson se deri më tani nuk ka asnjë shqiptar të prekur nga virusi vdekjeprurës që ka alarmuar jo vetëm Kinën, por mbarë botën.
Ndërkohë, 10 shtetas shqiptarë që punojnë në një provincë të Kinës veriore, si mësues të gjuhës angleze kërkojnë ndihmë për t’u rikthyer në Shqipëri.
Mësuesi M. Corja kontaktoi me Top Channel, përmes një mesazhi në “Whatsapp”: “Bashkë me nëntë miqtë e mi ne jetojmë në provincën e Changchun, Jilin. Punojmë si mësues të gjuhës angleze. Kemi katër ditë që nuk dalim nga shtëpitë. Jemi plotësisht të izoluar.
Ndjehemi shumë të rrezikuar dhe kemi nevojë nëse shtetit shqiptarë mund të na ndihmojë të kthehemi pasi e kemi të pamundur. Situata sa vjen dhe po rëndohet”.
M. Corja, njëri nga 10 mësuesit që apelon për ndihmë po ashtu thotë se: “Këtu në Changsha një qytet me 7 milionë banorë ku ne jetojmë prej 1 viti, media thotë qe ka 18 te infektuar por ka me shumë. Shifra e saktë nuk jepet pasi s’duan të shtohet paniku. Nga informacionet që kemi janë edhe shumë shqiptarë të tjerë në provinca të ndryshme të Kinës”.
Studentja shqiptare: Më largoni prej këndej sa më shpejt
Edhe një studente shqiptare apelon për ndihmë përmes Top Channel dhe kërkon që të kthehet në Shqipëri sa më parë, pasi thotë se e ka të pamundur financiarisht. Josilda Ndreaj njëra nga dy studentet shqiptare cila studion në Wuhan, epiqendrën e koronavirusit vdekjeprurës, apelon për ndihmë për tu kthyer në Shqipëri.
“Dua të iki sa më shpejt nga këtu. Situata sa vjen e po përkeqësohet. Vetë e kam të pamundur financiarisht të lëviz. Dua të kthehem në Shqipëri. Do ti jem mirënjohës qeverisë shqiptare apo gjithkujt që do të mund të më ndihmoj në këto momente të vështira ku gjendem”, ka thënë ajo në një intervistë për Top Channel.
Josilda, që studion master në Pronësi Intelektuale, tha po ashtu se për të ky është viti i saj i parë në Wuhan dhe shton se ka një pasiguri të madhe, por po përpiqet të ruajë qetësinë dhe të vëzhgoj situatën.