Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekoroi sot me anë të një ceremonie solemne regjisorin dhe kineastin e shquar, Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
“Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”, thuhej në motivacionin e dhënies së dekoratës.
Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 Janar 1936 dhe është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954-1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ai është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).
Në 12 Prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 Dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.