Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” artisten si dhe mbrojtësen e të drejtave të njeriut, Hueyda El Saied (pas vdekjes):
“Në vlerësim të kontributit të pasur si artiste shumëdimensionale në fusha të ndryshme si balet, pikturë, televizion e teatër. Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore.”
Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve, artistëve dhe personaliteteve të shumtë të artit të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:
“Jemi mbledhur sot së bashku, të nderojmë një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, një piktore, shkrimtare, prezantuese televizive, balerinë profesioniste, një juriste dhe një aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut si Huejda el Sajed (Hueyda El Saied).
Jeta e Huejdës ka qenë shumë dinamike. Nga diplomimi në Liceun Artistik te studimet e larta për drejtësi, e ato pasuniversitare për ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane’.
Ajo ndërtoi një karrierë të pasur artistike e profesionale dhe pati privilegjin të punonte në fusha dhe zhanre të ndryshme, si në balet, pikturë, televizion e teatër, gazetari, dhe si juriste në fushën e të drejtave të njeriut.
Huejda ishte një artiste shumëdimensionale. Ajo filloi të pikturonte në vitet 1990-të dhe puna e saj ra shpejt në sy të agjentëve dhe adhuruesve të pikturës.
Ekspozitat e saj janë hapur në shumë vende të botës si: Dubai, Luksemburg, Paris, Stokholm, Nju-Jork, Zyrih, etj”.