Në emisionin “Të paekspozuarit” në News 24, Presidenti Ilir Meta ka dhënë një përgjigje për lidhjet e tij me Kelment Balilin që u dorëzua para pak ditësh.
“E para ajo që dua t’ju them është se e përshëndes faktin që më në fund Balili një person i akuzuar për trafiqe serioze do të përballet me drejtësinë. Pavarësisht nga dobësia e autoriteteve tona është ky presion i gjithanshëm që e detyroi këtë person të përballej me drejtësinë.
Në kohën që kam drejtuar LSI-në, Rigels Balili, që sot drejton Bashkinë e Delvinës, i verifikuar dhe nga ambasadat që u përfshinë në proces vetingu dhe që ishte një nga drejtuesit kryesorë të LSI-së në atë zonë ka dalë se është një person i besueshëm dhe me të dhëna të verifikuara.
Balilët janë fis shumë i madh dhe kështu unë nuk e di çfarë lidhje mund të thurin me LSI-në. Sa u takon akuzave dhe a e kam takuar? Nuk e di a ja kam dhënë dorën kur ishte inaugurimi i “Santa Quqaranta” sepse kanë qenë 2 mijë të ftuar.
Edhe kur kam qenë kryetar i Kuvendit, unë nuk kam pasur asnjë sinjal nga shërbimet sekrete apo policia që të mos takohesha me këtë person. Në momentin që u publikua emri i tij unë kam kërkuar që ia të arrestohet.
Nuk ka asnjë hije në këtë histori. Madje pak kohë më parë u kam thënë edhe partnerëve tanë më të rëndësishëm që në rast se nuk besonin që autoritetet tona kishin dëshirë ta arrestonin unë isha i gatshëm të bëja marrëveshje me këtë person për tu dorëzuar sepse ma jep ligji këtë të drejtë. Të gjitha këto të tjerat janë përralla dhe një histori e neveritshme që të më lidhin me këtë histori. Kjo histori duhet të ishte zgjidhur prej kohësh dhe ndryshe”, tha Meta.