Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka folur sot për herë të parë për përplasjet e ditëve të fundit brenda koalicionit, ku LSI ka patur akuza të forta ndaj PS-së dhe Policisë së Shtetit.
Lefter Koka dhe Vangjel Tavo sulmuan ministrin e Brendshëm duke thënë se Policia e Shtetit mbjell kanabis dhe do të destabilizojë zgjedhjet.
Në qendër të sulmeve ishte edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Por kreu i LSI-së, Ilir Meta ka folur me tone diplomatike në një takim me strukturat e partisë në Njësinë 5 në Tiranë.
Meta tha se LSI është për zgjidhje institucionale dhe jo për retorika konfliktuale politike.
“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme.
Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, deklaroi kryetari i LSI-së duke zbutur në këtë mënyrë një konflikt që po merrte përmasa të forta.
Duke u ndalur te zhvillimet në rajon, Kryetari i LSI-së përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve.