Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me një deklaratë të sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Në një sqarim të gjatë në Facebook kreu i shtetit, i quan të gënjeshtra deklaratat e Bardhit, i cili u shpreh një ditë më parë se: “Gjykata Kushtetuese nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme. Ka thënë se subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por Presidenti i Republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit që ta inicionte procesin në këtë gjykatë. Pra, gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes.”
Sipas Metës, deputeti Bardhi, gënjen me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të përsëritur kur deklaron se “Gjykata Kushtetuese na paska thënë se, subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i Republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit që ta inicionte procesin në këtë gjykatë”.
Meta thekson se: “Presidenti i Republikës nuk është as subjekt zgjedhor, as përfaqësues i ndonjë partie garuese në zgjedhje, dhe as hyn në llojin e atyre institucioneve që kanë për detyrë që sa herë ka garë elektorale të ndjekë nëpër gjykata Partitë Politike, apo të mbrojë interesat e ndonjë force politike të caktuar”.
Presidenti i Republikës thekson se ai ka për detyrë të ushtrojë kompetencat dhe rolin që i jep kushtetuta, ku ndër detyrat kryesore të tij si përfaqësues i unitetit të popullit është të mbikëqyrë funksionimin normal të mekanizmave kushtetues, duke ndërhyrë për eliminimin e mangësive në këtë drejtim.
“Për këtë Presidenti nxjerr dekrete, që në rastin e zgjedhjeve vendore 2019, askush nuk guxoi t’ia sfidonte këto dekrete përpara ndonjë Gjykate, as përpara Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të një vendimi të themeltë nga Gjykata Kushtetuese, dhe pas shpalljes së vetes si jo kompetente prej saj, Presidenti i Republikës i bindet vetëm Kushtetutës së Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve shqiptar në ato 6 Bashki që sot janë pa kryetar”, shprehet Meta.