Presidenti Ilir Meta mbajti sot një konferencë për shtyp për të sjellë prova të reja për atë që e quan “grusht shteti”.
Gjatë konferencës, Meta e cilësoi Parlamentin “gjysmëparlament” dhe deputetët e tij, “deledeputetë”.
“Gjysmëparlamenti i deledeputetëve vetëm gënjen e mashtron dhe kërkon të implikojë institucionet që nuk kanë dhënë opinion lidhur me betimin në formë të shkruar për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Helsinkit thotë se ceremonia e betimit nuk bëhet me shkrim. Kërkohet prezenca fizike e personit që betohet përpara Presidentit”, deklaroi Meta.
Meta ka paralajmëruar edhe për një tubim së bashku me qytetarët më datë 2 Mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sikundër ai e konsideron, në mbrojtje të Kushtetutës dhe shpartallimin e grushtit të shtetit.
Data 2 Mars është simbolike, pasi pikërisht në këtë datë, në vitin, 1444, Gjergj Kastrioti, krijoi Lidhjen e Lezhës.
“Nga data 2 mars do të firmoset dekreti i parë, para popullit shqiptar. Në bulevard do të lidhim besën. Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ju japim fjalën se shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion në mbrojtje të republikës, por të gjithë këta institucione që janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do t’i kthehen popullit shqiptar”.
Në fund pati një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama: “Ata që kërkojnë popullin e presidentit në WhatsApp, të porosisin poture të gjera”.