Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishikim ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar”. Në arsyetimin e këtij dekreti, presidenti ka theksuar se, pavarësisht objektivave të deklaruar, për shkak të formulimeve të paqarta të disa dispozitave të tij, duket se nuk shkon kah përmbushjes së këtyre objektivave.
“Ky ligj, për shkak të çështjeve që do të shtjellohen në vijim të këtij materiali shoqërues, ka nevojë për përmirësim dhe duhet të rishqyrtohet në tërësi nga Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me rregullat, parimet kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit.
Gjithashtu nënvizon se, disa nga dispozitat e këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën dhe nuk ka harmoni me disa dispozita të Kodit të Procedurës Civile. Po ashtu një tjetër arsye për kthimin e ligjit renditet dhe fakti se disa nga përkufizime përmbajnë terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqiptare, ku në dekret është dhënë një listë prej 9 fjalësh anglisht si: “surf”,“windsurf”, “wakeboard”, “kitesurfing”, “bareboat” etj.. Kjo gjë, thotë Meta cenon identitetin kombëtar.
“Përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, në një ligj, pra në aktin më të lartë me fuqi detyruese që nxjerr Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, që përbën aktin zyrtar bazë pas ligjit themeltar të Kushtetutës sonë.vendit: Kushtetutës, jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdrejtë dhe identitetin kombëtar, të mbrojtur posaçërisht që nga preambula e Kushtetutës”, thotë Presidenti.
Sipas Presidentit ligjit ka paqartësi në rregullat e përcaktuara, gjë e cila mund të shoqërohet me pasiguri tek operatorët e veprimtarive të turizmit detar. “Shqetësimet për të cilat ky ligj kthehet për rishqyrtim, duhen mbajtur në vëmendje për procesin ligjbërës në vazhdimësi, duke i kushtuar rëndësi të veçantë gjuhës së akteve të miratuara, qartësisë dhe koherencës së dispozitave ligjore me pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi, në mënyrë që edhe kjo fushë e aktiviteteve zbavitëse të turizmit detar, të zhvillohet nën një regjim të sigurtë juridik”, shprehet Presidenti.