Presidenti Ilir Meta nuk është dakord që qeveria t’i drejtohet me urgjencë tregjeve ndërkombëtare për të marrë hua 650 milionë euro në formë eurobondi.
Në një letërkëmbim drejtuar Kuvendit, Meta ka shprehur “mosdhënien e pëlqimit” për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit që e parashikon këtë huamarrje, e cila do të jetë me afat 7 deri në 10 vite.
Qeveria ka kërkuar dhe marrë pëlqimin e parlamentit për kalimin me urgjencë të ligjit me justifikimin që eurobondi të kapë periudhën e muajit qershor.
Mirëpo sipas Presidentit, kërkesa me urgjencë e qeverisë nuk është e justifikuar, pasi nuk është shoqëruar me transparencë, shqyrtime me detaje dhe analiza financiare “për një akt me rëndësi të madhe për financat publike”.
Meta ngre shqetësimin se projektligji për eurobondin shoqërohet me “heqjen dorë paraprakisht nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”.
“Delegimi i vendimmarrjes, siç në rastin konkret bëhet përmes heqjes dorë nga imuniteti në këtë mënyrë, pa qenë në dijeni të kushteve që do të negociohen në një marrëveshje, nuk duhet të bjerë ndesh me parimet kushtetuese”, shprehet Meta teksa thekson se ligji e kërkon që Kuvendi të japë autorizime për çdo marrëveshje.