Kryesore Meta: Liria e medias është përkeqësuar, pronarët po bëjnë edhe kryeredaktorë

Meta: Liria e medias është përkeqësuar, pronarët po bëjnë edhe kryeredaktorë

Në Konferencën vjetore të Avokatit të Popullit, “Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të të drejtave të tjera të njeriut”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh se liria medias në Shqipëri është përkeqësuar.

“Duhet balancë mes gjuhës së urrejtjes dhe lirisë së shprehjes dhe keqpërdorimit për të goditur kritikët ndaj qeverisë. Liria në media është përkeqësuar. Kjo i ktheu ata në protestë. Pronarët po bëjnë edhe kryeredaktorët. Polarizimi politik nxit gjuhën e urrejtjes. Uroj që pas tërmetit të 26 nëntorit të kuptohet se duhet dialog e gjithëpërfshirës”, u shpreh Meta.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se konsolidimi i lirisë është një temë universale, por që në rajonin tonë dhe për vendin tonë merr një domethënie të veçantë.

“Ne, shqiptarët kemi mjaft virtyte, por midis tyre shquan toleranca fetare dhe pranimi i lirisë në besimet e tjera. Por këtë virtyt, pra respektimin e lirisë fetare, nuk kemi mundur ta shtrijmë në të gjithë shoqërinë. Kemi një shpërpjesëtim të theksuar midis respektimit të lirive fetare, shpesh edhe etnike, dhe respektimit të lirive politike. Nuk është fjala se politikisht jemi më pak tolerantë sesa si besimtarë. E keqja është se intoleranca, mëritë, ndonjëherë edhe urrejtja politike, “sabotojnë” ose dëmtojnë evitimin e urrejtjes në institucionet e jetës shpirtërore”, tha Ruçi.