Presidenti i Republikës, Ilir Meta u takua këtë të martë me ekspertë të Komisionit të Venecias, që ndodhen në Tiranë për të diskutuar për paketën “Anti-shpifje”. Gjatë takimit Meta u tregoi ekspertëve pse e ktheu mbrapsht ligjin e qeverisë.
Sipas tij, me këtë paketë cenohet liria e fjalës dhe integrimi i vendit.
“Pavarësia e pushtetit të medias është thelbi i funksionimit dhe mbarëvajtjes së shtetit të së drejtës. Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike. Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës, si dhe të cenonte drejtpërdrejt procesin e integrimit të shpejtë të vendit në Europën e Bashkuar”, tha Meta.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka kërkuar një opinion Komisionit të Venecias për paketën “anti-shpifje”. Për këtë kërkesë ekspertët pritet të shprehen në mars, ndërsa momentalisht po zhvillojnë takime në Tiranë për të mbledhur informacione e fakte. Derisa të shprehet Komisioni i Venecias, mazhoranca u tërhoq nga paketa.