Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se në muajin shtator, kur dhe fillon sesioni i ri parlamentar, kjo forcë politike do të punojë për krijimin e një qeverie teknike.
Në një deklaratë për mediat, Meta tha se duhet t’i dilet për zot çështjes së negociatave, pasi sipas tij, me qeverinë aktuale nuk mund të ketë hapa para në këtë proces.
“Lidhur me këtë iniciativë që ka thënë Tao Tao, kam një kundërshtim shumë serioz. Në shtator kemi punë të tjera, do punojmë për një qeveri teknike. Duhet t’i dalim për zot edhe çështjes së negociatave, sepse nuk ka shanse që të bëhet ndonjë hap përpara me këtë qeveri”, u shpreh ai.
Deklarata e Metës vjen pas pyetjes lidhur me vendimin e Partisë Socialiste për të ndryshuar ligjin për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve.
Më tej, Meta deklaroi se është shumë e afërt dita kur në vend do të praktikohet referendumi.
Meta u shpreh se kjo ditë do të shënojë edhe ndarjen një herë e përgjithmonë me sundimin nga pakica.
“Unë jam 100% i bindur se dita e praktikimit të referendumit, do të jetë shumë e afërt. Kjo do të jetë dita e ndarjes një here e përgjithmonë me sundimin e pakicës së pakicës në këtë vend. Në këtë vend jo vetëm kemi një problem të madh legjitimiteti sepse pakica është shumicë për të gjitha ato arsye që i dimë, por edhe te kjo pakicë, vendimet merren nga një pakicë fare e vogël dhe kjo pakica tjetër më e madhe është mish për top për këtë pakicë fare të vogël, siç janë për fat të keq janë patronazhistët, të cilët pas referendumit do të jenë njerëz të lirë”, theksoi ai.