Konflikti mes Presidentit dhe Kryeministrit ka përfunduar në faqet e shtypit italian, nga ku Kreu i Shtetit i cilëson jo të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit.
Në një intervistë për “Il Giornale”, dhënë nga vila e tij në Gjirin e Lalzit, Ilir Meta shpjegon nëse nuk do të kishte shtyrë zgjedhjet përplasja mes palëve do të kishte qenë e pashmangshme.
“Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as të ligjshme, as legjitime. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të kontestojë dekretin e Presidentit, fatkeqësisht aktiviteti i saj është pezulluar me vullnet të Ramës. Për të kuptuar parregullsitë, mjafton të mendosh se në 61 bashkitë në të cilat votohej, kanë fituar socialistët sepse mungonte opozita, njësoj si gjatë regjimit komunist”, deklaroi presidenti.
Gazeta italiane pyeti Presidentin edhe në lidhje me përgjimet e publikuara nga BILD. “Është e papranueshme që në vitet e shkuara nuk janë bërë hetime të thelluara mbi këto çështje. Është një nga rastet më të këqija të funksionimit të shtetit të së drejtës. Mbajtja e zgjedhjeve të rregullta është zgjidhja për këtë problem. Duhen gjithashtu masa të forta për të eliminuar problemin e drogës. Fitimet nga narkotrafiku janë shumë më të larta në Shqipëri, në raport me ekonominë tonë, nëse krahasohen me vende më të mëdha si Italia dhe Gjermania”, u përgjigj ai.
Akuzat e Metës ndaj Soros për kapjen e reformës në drejtësi duket se kanë bërë jehonë përtej Adriatikut, ku Il Giornale pohon se deklaratat e Presidentit ngjajnë si ato të një lideri sovranist. “Jemi një vend i vogël dhe duhet të bëjmë kujdes në një epokë globalizimi, për të ruajtur vlerat që qëndrojnë në bazën e Shqipërisë, duke nisur nga identiteti ynë. Duhet të tutelojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Nuk jam një populist por një realist, që kërkon të mbrojë Shqipërinë”, sqaroi Meta.
Sa i përket integrimit europian, Meta pohon se progresi deri më sot nuk është inkurajues, ndërsa e quajti të papranueshme nivelin e lartë të largimit të të rinjve nga vendi.