Presidenti Ilir Meta nënshkruan kallëzimin penal për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. “Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”, shkroi Meta në Facebook, duke postuar fotot e nënshkrimit të dokumentit.
Sipas asaj që tha vetë Presidenti të premten, padia do të bëhet për dy akuza, “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”.
“Është konstatuar disa shkelje përgjatë ushtrimit të detyrës nga kryetari Ardian Dvorani, që kapërcejnë kufijtë e shkeljes disiplinore, por hyjnë në karakterin që është e detyrueshme nisja e procedimit penal”, tha Presidenti. “Ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik dhe ka marrë përsipër të realizojë një akt mafioz”.
Presidenti i bëri thirrje Prokurorisë që në këtë moment të rëndësishëm të tregojë integritet dhe të hetojë të gjithë personat e përfshirë.