Presidenti Ilir Meta la të kuptuar se nuk do të organizojë ceremoninë e betimit për anëtaren e zgjedhur automatikisht nga KED në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi.
Ai tha se është një publikim “kontrabandë” në Fletoren Zyrtare zgjedhje e Vorpsit, dhe se i vetmi veprim kushtetues sipas tij, është zgjedhja e Marsida Xhaferllarit.
“Jam shumë i qartë për këtë çështje. Kuvendi është i mirëpritur të komunikojë zyrtarisht me institucionin e Presidentit, dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar në respekt të ksuhtetut5ës dhe detyrimeve kushtetuese dhe kjo është një çështje e mbyllur dhe shumë e qartë.
Ju duhet të dini se çfarë publikohet në fletoren zyrtare dhe këto janë me ligj, çdo publikim kontrabandë, padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin në zbatim të detyrimeve të tij kushtetuese. Ka kushtetutë mbi çdo gjë tjetër në republikë në mënyrë të veçantë për presidentin që është betuar me dorë mbi kushtetutë, unë me këtë gjë nuk bëj shaka”, tha Meta.
Meta mbron Xhaferllarin: Më e shkëlqyera nga të gjitha, u diskriminua
“Unë nuk jam këtu për t’u marrë me thashetheme të turpshme, që u takojnë vetëm njerëzve që nuk kanë asnjë lloj dinjiteti, besoj se veprimet e mia ishin të përgjegjshme. Ju përmendët një emër është emri me CV me të shkëlqyer që ka sjellë KED, një person i diskriminuar. Një person që nga dy persona të shfaqur tërësisht politik nga KED ka pasur vlerësimin zero. Ndërkohë që ka pasur vlerësim të shkëlqyer për karrierën dhe shkollimin. Nëse Presidenti nuk do të kishte besimin te asnjë individ, do të thoshte nuk kam besim dhe të vepronin si të dëshironin”.
Emri i Arta Vorpsi u shpall në fletoren zyrtare, megjithatë ajo nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek presidenti Meta. Në bazë të vendimit të sotëm, presidenti Meta pritet të thërrasë për të bërë betimin Marsida Xhaferllari. Është ende e paqartë nëse emërimi i saj do të shpallet në fletoren zyrtare apo jo.