Pasi bëri publik dekretin e datës së re të zgjedhjeve lokale, 13 tetorin, Presidenti Ilir Meta u shpreh se nuk po vepronte për të plotësuar tekat e opozitës, por për të shmangur konfliktin.
“Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, por jam këtu për të bërë maksimumin që të shmangim një konflikt jo vetëm politik, por edhe shoqëror. Vendimi për të caktuar një datë të re është marrë pas mos pranimit të Kryeministrit për të ardhur në takim”, tha Meta.
Sa i përket faktit që një nga liderët e opozitës është bashkëshortja e tij, Meta u shpreh se nuk ndikohet aspak dhe axhenda e tij është ajo e Presidentit të Republikës.
“Më vjen shumë keq për reagimin e Ramës, por nuk do të humbasë për asnjë moment qetësinë. Nuk e kam për turp që jam burri i Monikës dhe këtë e di e gjithë Shqipëria. Monikën e kam gjetur në partinë që e drejton sot zoti Rama, por ai e di më mirë se kushdo se unë në të gjitha detyrat që kam pasur di të ndajë anën shoqërore dhe familjare me anën shtetërore. Për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika në këtë detyrë tjetër të rëndësishme që kam. Axhenda ime është axhenda e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, tha Meta, duke e mbyllur me thirrje ndaj Ramës: “Edi, reflekto!”