Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në një intervistë dhënë për televizionin grek “STAR” flet për fushatën zgjedhore në Shqipëri dhe për arsyet pse LSI do dalë forcë e parë në vend.
Duke folur për marrëdhëniet me kryeministrin, Ilir Meta duke dashur të bëjë për vetë edhe grekët tha se Rama ka marrëdhënie të vështira me të gjithë dhe të paqëndrueshme, përfshirë dhe Greqinë.
Meta foli edhe për pozicionin e tij në lidhje me marrëdhëniet greko shqiptare, duke i konsideruar si jetike dhe njerëzore.
Meta, jemi në ditët e fundit të fushatës elektorale, dhe dua të më thoni përse mendoni se Lëvizja Socialiste për Integrim do dalë e para në zgjedhjet e 25 qershorit?
Unë besoj se LSI do të jetë forcë e parë në këto zgjedhje për arsye se të dy forcat e tjera tradicionale të politikës shqiptare i kanë humbur shanset për të sjellë atë besim që ka nevojë vendi për të dalë nga ky stanjacion. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, forca që ne përfaqësojmë ka mbështetjen e gjerë dhe të jashtëzakonshme të gjithë të rinjve të Shqipërisë dhe njihet tashmë si forca e të rinjve, si partia e rinisë, gjë që reflektohet në gjithë lidershipin dhe në listat e kandidatëve për deputetë të kësaj force.
Kjo është shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria ku pakënaqësia ndaj klasës politike është aq e madhe saqë është një ndër vendet ku të rinjtë dëshirojnë të largohen më së shumti. Duke u dhënë këtë hapësirë të rinjve, duke u dhënë këtë forcë, duke u dhënë këtë protagonizëm ne në këtë mënyrë kemi arritur të mobilizojmë shumicën e rinisë së Shqipërisë në këtë ndërmarrje historike për të rikonfiguruar të gjithë skemën politike në vend. Po kështu, dy forcat e tjera e kanë lodhur shumë vendin me konfliktin e tyre tepër egoist dhe personal, destruktiv dhe nuk sjellin asnjë shpresë për stabilitet, për qëndrueshmëri dhe për normalitet.
Shohim që marrëdhënia juaj me z. Edi Rama në këto momente është në një pozicion të vështirë. Si është e mundur që ka ndodhur kjo kur ju jeni bashkë në qeveri, jeni bashkëqeverisës?
Në radhë të parë duhet të kemi parasysh që për fat të keq z. Rama ka marrëdhënie të vështira me të gjithë dhe të paqëndrueshme, përfshirë dhe Greqinë, por jo vetëm Greqinë, por dhe fqinjë të tjerë.
Së dyti, ka qenë për fat të keq, i pamundur për të treguar vetëpërmbajtje, tolerancë në sjelljen e tij si kryeministër brenda vendit. Unë jam sforcuar shumë për të shmangur konfrontime, të cilat mund të kishin sjellë një situatë tepër të rëndë në Shqipëri, siç ishte në radhë të parë dëshira e tij për të miratuar një reformë në drejtësi, duke përjashtuar opozitën nga një reformë kaq historike që do të kishte sjellë një konflikt tepër të rëndë.
Dhe së dyti, rasti i fundit dëshira e tij për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën, gjë që do të ishte diçka e tmerrshme për një vend demokratik si Shqipëria, me 27 vjet pluralizëm, vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Dhe natyrisht qëndrimi im ka qenë parimor dhe në interes të stabilitetit të vendit dhe nuk është përgjegjësia ime që dikush nuk i menaxhon shanset që i jepen dhe mbështetja që i jepet. Dhe në fakt dy njerëzit që unë kam mbështetur më shumë në jetën politike në Shqipëri janë Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Kush është pozicioni juaj karshi Greqisë dhe marrëdhënieve greko-shqiptare?
Për mua si politikan, por edhe për forcën politike që unë kam themeluar dhe drejtuar ka vetëm tre tabu: stabiliteti i Shqipërisë, marrëdhëniet e ngushta me fqinjët dhe stabiliteti i rajonit, dhe e treta, integrimi evropian. Dhe të tre këto tabu janë të lidhura fort me njëra tjetrën dhe me stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë.
Unë e kam provuar këtë gjatë gjithë jetës sime si politikan edhe në marrëdhëniet me Greqinë ku kam qenë gjithnjë një partner tepër i qëndrueshëm dhe bashkëpunues. Marrëdhëniet me Greqinë janë tepër jetike për Shqipërinë, por edhe me gjithë vendet e tjerat të rajonit përfshi edhe Serbinë, marrëdhëniet e mia me ish-kryeministrin Gjingjiç, kur kemi qenë të dy kryeministra në vitin 2000, kanë hapur një faqe të re, pavarësisht se ajo u ndërpre për shkak të vdekjes së tij dhe në gjithë aktivitetin tim unë gjithmonë kam punuar që Shqipëria të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon sepse kjo është jetikë për të gjithë ne.
Në këtë botë të globalizuar nuk konkurrohet më midis vendeve fqinje me njëra-tjetrën, por midis rajoneve të ndryshme të botës. Kështu që ne jemi një rajon shumë i vogël, për të mos bashkëpunuar ngushtë në mënyrë që të jemi më të qëndrueshëm dhe më tërheqës edhe për investimet e huaja, por dhe për gjithçka tjetër qoftë dhe turizmin meqenëse jemi në një sezon të tillë.
Marrëdhëniet me Greqinë pastaj janë diçka krejt tjetër, nuk janë thjesht marrëdhënie si me të gjithë fqinjët e tjerë, janë marrëdhënie tepër jetike sepse janë marrëdhënie tashmë dhe njerëzore.
Ne kemi me mijëra familje të përbashkëta greko-shqiptare të krijuara në këto 27 vjet, ku fëmijët një motër mund të deklarohet greke, vëllai mund të deklarohet shqiptar. Është një lidhje kaq e fortë dhe kaq e fuqishme njerëzore sa çdo tentativë për të instrumentalizuar këto marrëdhënie në kurriz të miqësisë, të bashkëpunimit është jo vetëm diletante, por edhe asgjësuese për çdo politikan.