Nga Spartak Ngjela
Nënshtetësia shqiptare që iu dha kryepeshkopit grek të kishës ortodokse autoqefale shqiptare, Janullatos; është një veprim antihistorik.
I.
Një veprim antihistorik ka qënë edhe emërimi i Janullatosit në krye të kishës shqiptare, sepse të shiturit menduan që drobitja shqiptare e kohës do ta shkëpusë besimin kristian shqiptar nga Shqipëria.
Kisha greke ka menduar gjithmonë se, në funksion të greqishtes, ortodoksët shqiptarë do të shuheshin dalëngadalë duke harruar gjuhën shqipe. Ka dy shekuj që shovinismit grek, laik dhe fetar, ortodoksët dhe katolikët shqiptarë i prishin skemën që ka ai kundër autoktonisë shqiptare.
Por ja që nuk e bënë dot.
Shumë krime ka bërë kisha greke kundër shqiptarëve ortodoksë që nuk u mposhtën kurrë për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën e shkruar shqipe.
Kisha greke dhe reaksioni i grekëve të Anadollit, shqiptarët i quanin turq, por nuk kishin si t’ia bënin ortodoksëve që ishin më konservatorët për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe nacionalizmit shqiptar.
Por, edhe katolikëve, se ata i kishin vdekje fare.
Tani mund të themi se këta ua morën të keqen shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Ata madje i kanë po shqiptarë që flasin shqip edhe në Greqi arvanitasit dhe çamët ortodoksë, që i terroruzuan mbi njëqind vjet për t’iu shuar gjuhën shqipe.
Po pse gjithë ky mllef kriminal kundër gjuhës shqipe? Sepse gjuha shqipe është magjia e gjuhëve ballkanike; dhe është tmerri i të ardhueve në Ballkanin Perëndimor – sllavëve dhe grekëve të Anadollit që kanë pushtuar territoret shqiptare.
ll.
Vetëm një president që nuk e do vendin e tij dhe shkel mbi krimet e shëmtuara që ka bërë kisha greke kundrejt figurave të ndritura të kishës ortodokse shqiptare, dhe kundrejt ortodoksëve të mëdhenj që luftuan për afirmimin historik dymijë vjeçar të kombit shqiptar – vetëm një i tillë, i jep shtetësinë shqiptare një peshkopi grek që prej 25 vjetësh nuk ka pranuar ta japë meshën në gjuhën shqipe.
Jo vetëm kaq.
Janullatosi është autori i denigrimit të figurës së peshkopit Fan Stilian Noli; autorit direkt të autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare dhe figurës së madhe të formimit intekektiv të botëkuptimit real shqiptar.
lll.
Peshkopi grek Janullatos, ka punuar që të anashkalojë dhe t’i humbë rëndësinë e autoqefalisë kishës ortodokse shqiptare.
Nëse Ilir Meta ndihet i kërcënuar nga Reforma në Drejtësi, hapi i hedhur është i kotë, por kuptohet që ai po kërkon ndihmë sa nga Gruevski në Shkup, aq dhe në qarqet reaksionare greke në Athinë. Mund të vejë edhe në Beograd.
Po përse e ka kërkuar këtë nënshtetësi shqiptare një peshkop grek?
Nuk bie kjo si një kërkesë jashtë qëllimit real të një peshkopi kristian?
Ku ka kombësi prifti dhe peshkopi kristian! Ai duhet të jetë internacionalist – se ky është thelbi i krishtërimit.
Gjithë kjo kërkesë me ngulm për shtetësinë shqiptare e Janullatosit është frikë nga Reforma shqiptare.
Deri tani është shkelur autoqefalia e Kishës Ortodokse shqiptare me një kryepeshkop jo shqiptar. Ai ka ardhur në krye të kishës autoqefale shqiptare si i përkohshëm – kush ia dha përjetësinë?
Vendosja e ligjit dhe krijimi i një shteti realisht shqiptar, nuk mund ta lejonte më Kishën Autoqefale të Shqipërisë me një peshkop jo shqipëtar.
Është frikë në një krah, por edhe ligësi në krahun tjetër.
Ortodoksia shqiptare është kristiane minimumi pesë shekuj përpara grekëve që janë grekë, se këta që kanë ardhur nga Anadolli që të mposhtin shqiptarët në trojet e tyre, as që mund të llogariten.
Autoqefalia ka qenë një nga veprat më të mëdha të mendjes shqiptare; dhe vlerë direkte e Fan Stilian Nolit, sepse elita ortodokse shqiptare është vlerë e madhe e nacionalizmit shqiptar në funksion të gjuhës shqipe dhe autoktonisë shqiptare në Ballkan.
Shihni se çfarë tmerri ka kisha greke nga gjuha shqipe; derisa e ka quajtur atë “gjuhë të mallkuar” dhe ka vrarë, në bashkëpunim me osmanët një numur të madh atdhetarësh e krijuesish të gjuhës së shkruar shqipe.
Dhe, e dini Pse?
Sepse shqipja është gjuha që është folur që në kohë të Jezu Krishtit, dhe me këtë gjuhë është pritur Shën Pali në Durrës, dhe në të gjithë Arbërinë. Se këtu ka mbërritur ai së pari.
Dhe shqiptarët janë krenarë për këtë fakt historik.
Por koha fatmirësisht po punon për shqiptarët. Vazhdimisht po dalin dhe do të vijojnë të dalin dokumentat e fshehura me kast të historisë së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.
Procesi agresiv për zhdukjen e gjuhës shqipe në Ballkan ka marrë fund. Dinjiteti ndërkombëtar i shqiptarëve dhe gjuhës së tyre të lashtë, tani është në ngritje të pandërprerë. Një peshkop nuk i bën dot më asgjë gjuhës shqipe, le t’i japë sa të dojë meshat në greqisht; por pyetja është: kur je dhe ke qenë kundër gjuhës shqipe dhe,kundër Fan Nolit, lëvruesit më të madh të gjuhës shqipe – përse të duhet shtetësia shqiptare?