Pasi u thirr në parlament nga Komisioni Hetimor dhe pas deklaratave që bëri që nga ky institucion, presidenti Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur “i lumtur” që kishte shkuar në parlament pas gati dy viteve.
Në vijim, presidenti theksoi se deri më 24 korrik 2022, kur është edhe data që mandati i tij përfundon se “Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës”.
Postimi i plotë i presidentit:
Shumë i lumtur që m’u dha sot mundësia të kthehem në Parlament pas një mungese gati dy vjeçare, për të rikonfirmuar edhe njëherë se deri në 24 korrik 2022, Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë, pluralizmit, interesit kombëtar dhe atij publik, me qëllimin e vetëm anëtarësimin e shpejtë dhe pa vonesa të Shqipërisë në Bashkimin Europian.