Presidenti Ilir Meta është takuar sot me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Dr.Hans Kluge, në ditën e dytë të vizitës së tij në vendin tonë. Në fokus të takimit ishte situata nga pandemia e koronavirusit në Shqipëri dhe masat e menjëhershme që duhen marrë.
Sipas kreut të shtetit, rritja e buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimi i testimeve dhe kapaciteteve spitalore, si dhe rimbursimi i barnave janë domosdoshmëri për përballimin e situatës.
“Diskutuam për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.
Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë.
Është tepër e domosdoshme rimbursimi i shpenzimeve për barnat dhe shërbimet për të sëmurët me COVID-19, veçanërisht të pensionistëve e qytetarëve në nevojë, të cilët trajtohen në banesë dhe që për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta ekonomike”, shkruan Meta.