Presidenti Ilir Meta thotë se zgjedhja e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nuk ekziston. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, kreu i shtetit tha se kishte qenë në pamundësi kushtetuese dhe ligjore për të zgjedhur brenda afatit 30 ditor, sepse duhej të shprehej Kuvendi, në mënyrë që ai të shprehej për vakancën tjetër. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se cila është anëtarja e Kushtetueses, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari, Meta tha me bindje se është ajo që ka dekretin, pra Xhaferllari. Sa i përket botimin në Fletoren zyrtare të zgjedhjes së Vorpsit, Presidenti tha: ”Po kujt po i kërcet për Fletoren e Dvoranit”.
Ilir Meta: Unë kam qenë në pamundësi kushtetuese dhe ligjore për të zgjedhur, sepse duhet të shprehej Kuvendi për zgjedhjen e parë, pas asaj që kisha shprehur unë, në mënyrë që unë të shprehesha për tjetrin, sepse çdo akt i imi afektonte listën e Kuvendit dhe çdo akt i imi afektonte listat e mia, se listat ishin njësoj, kjo është arsyeja. Përse të shkelja unë Kushtetutën.
Blendi Fevziu: Pse u shprehët pas zgjedhjes së Arta Vorpsit dhe menjëherë zgjodhët Xhaferllarin?
Ilir Meta: Nuk ekziston zgjedhja e zonjës në fjalë dhe publikimi i paligjshëm dhe mafioz në gazetën zyrtare. Unë jam shprehur pasi Kuvendi u shpreh duke shkelur Kushtetutën, për të dyja bashkë, sepse nuk duhej të shprehej për të dyja bashkë, por ama e konsumoi të dytën vetë Kuvendi. Atëherë unë u shpreha për vakancën që më takonte mua. Dhe mes dy kandidateve që kishin mbetur në listë, që ishin zonja Vorpsi dhe Xhaferllari unë zgjodha zonja Xhaferllarin, sepse dy të tjerat ishin zgjedhur.
Blendi Fevziu: Kush është anëtare e Gjykatës Kushtetuese? Arta Vorpsi apo Mardisa Xhaferllari?
Ilir Meta: Po kjo histori ka përfunduar.
Blendi Fevziu: Po Zonja Vorpsi është botuar në Fletoren Zyrtare.
Ilir Meta: Është ajo që ka dekretin e presidentin, mbaroi historia.
Blendi Fevziu: Kush ka dekretin e Presidentit, Marsida Xhaferllari?
Ilir Meta: Po ajo e ka.
Blendi Fevziu: Po ky dekret nuk po botohet në Fletoren Zyrtare.
Ilir Meta: Po kujt po i kërcet për Fletoren e Dvoranit.