“Presidenti mendoj se do që të tërheqë edhe njëherë vëmendjen. Ai thotë çfarë dëshiron të thotë. Por mendoj se do që të tërheqë pak vëmendjen. Dhe mendoj se nuk është në interes të askujt që t’i përvishet një diplomati, cilido qoftë ai. Nuk është në interesin e askujt” – thotë Christina Vasak, ambasadore e Francës në Shqipëri.
Sakaq thekson se “sa i takon krahasimit me banda apo grupe kriminale, çfarë është kjo? Të jemi seriozë! Unë kam tendencë t’i marr gjërat më ironi ndonjëherë, por këtu le të bëhemi seriozë! Po, diplomatët takohen. Po, diplomatët mblidhen rregullisht. Dhe grupi i parë, për ne francezët, si edhe për të tjerët, është ai i ambasadorëve të Bashkimit Europian. Ne mblidhemi rregullisht me njëri-tjetrin, dhe aq më mirë. E dini, si për mua edhe për të tjerë ka qenë e rëndë të shoh që kolegu ynë britanik është duke u larguar nga ky grup, për shkak të Brexit”.
Në një intervistë për AbcNeës ajo shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në majë të piramidës gjyqësore dhe në çdo sistem gjyqësor.
Sipas saj është një boshllëk në sistemin gjyqësor shqiptar që duhet mbushur shpejt.
Vasak mendon se Komisioni i Venecias mund të ndërhyjë sërish për të këshilluar autoritetet shqiptare për ngërçin kushtetues ku ndodhet vendi.
Gjatë intervistës, diplomatja franceze merr në mbrojtje edhe ambasadorin e OSBE Bernd Borchard, të cilin presidenti Meta e ka shpallur të padëshirueshëm.
“Nuk do të komentoj Presidentin, i cili thotë atë që do të thotë. Ajo që mund të them është vetëm se e njoh Bernd Borschard prej disa kohësh. Njihemi që nga Gjermania, sepse kam punuar jo pak në Gjermani. Dhe mendoj se nuk është në interes të askujt që t’i përvishet një diplomati, cilido qoftë ai. Nuk është në interesin e askujt! Sigurisht, e di çfarë i qortojnë. Çdokush mund të shkasë. A kishte shkarje, këtë nuk më takon mua ta them. Por mendoj se askush nuk ka interes kundër Bernd Borschard, sepse, të mos harrojmë, Shqipëria po bëhet gati të marrë presidencën e radhës të OSBE-së në 2020. Askush nuk ka interes të tregojë me gisht përfaqësuesin e OSBE-së këtu. Askush! Është tepër e rëndësishme për Shqipërinë që të marrë presidencën e OSBE-së në 2020. Pra, vërtet le të mos i vëmë gishtin askujt. Ju lutem!”, tha ambasadorja franceze.