Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, si dhe kërkoi asistencën italiane edhe për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura.
Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.
“Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. “Gjithsesi, ne presim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve kryesorë italianë në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri”, – theksoi Kreu i Shtetit.
Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, tha Presidenti Meta, janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali.