Politika Meta tregon “grupin e strukturuar” që po vepron në Shqipëri: Bazohet në...

Meta tregon “grupin e strukturuar” që po vepron në Shqipëri: Bazohet në ‘deep state’

Presidenti Ilir Meta ka folur në konferencën për shtyp një grup të strukturuar që funksionin në Shqipëri dhe që, sipas tij, bazohet në parimet e ‘deep state’ dhe ‘state capture’.

“I përqafoj të gjithë shqiptarët që evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht përplasjen civile. Nuk është një kurth i ri, është i hershëm, është një komplot që bazohet jo në parimet e demokracisë dhe as të vlerave të Bashkimit Evropian dhe as të NATO-s, e cila siç tha Sekretari i Përgjithshëm ka në themel demokracinë. Kjo bazohet në parimet e ‘deep state’ dhe ‘state capture’. Ekziston edhe në vendet tjera që vuajnë nga agjendat e nëndheshme dhe janë komplot ndaj demokracisë. Prej kohësh i kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhit dhe mikut tim Doktor, që të jenë të kujdesshëm të mos bien pre e provokime të një grupi të strukturuar PPP dhe d e vogël. Është një grup i strukturuar që punon në Shqipëri”, u shpreh Meta.

Meta theksoi se agjenda e tij ka ndryshuar nga ‘Edi reflekto’ në ‘Edi thellohu’.

“Agjenda ime ka ndryshuar, tani është ‘Edi thellohu’. Thellohu se ky është atdheu i të gjithë shqiptarëve. Nëse ti nuk je i pavarur që të marrësh vendime të pavarura, unë dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm do ta mbrojmë Shqipërinë nga të gjithë ata miliarderë që u duket Shqipëria si mizë misri”, deklaroi presidenti.