Presidenti Meta ka thirrur shqiptarët në një tubim në Qytetin Studenti me 8 dhjetor, në Ditën e Rinisë.
Njoftimi u bë publik nga zëdhënësi i tij në mediat sociale, i cili saktëson se ky organizim i kreut të Shtetit bëhet pikërisht në vendin ku nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90.
“Në 8 dhjetor 2019, në DITËN E RINISË, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta organizon në Sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, aty ku dhe nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90, një tubim mbarëpopullor që synon Nisjen e një Dialogu me Shqipërinë! SHQIPËRIA E PARA”, deklaroi Presidenca.
Në një tjetër postim në Facebook, zëdhënësi i Presidentiy sqaron nisja e Dialogut të Presidentit Meta me Shqipërinë ka për qëllim mbrojtjen e Demokracisë dhe Kushtetutës.
“Dialogun e Presidentit META me shqiptarët nuk mund ta ndalë askush, deri në zbatimin e detyrimit kushtetues për Referendumet.
Jemi të vendosur deri në fund: Demokracinë nuk e japim me koncension! Tani vetëm demokraci direkte! Tani vetëm referendum! Shqipëria e para! Shqiptarët mbi çdo gjë”, shkruan zëdhënësi i Metës në postimin e radhës.
Ditën e premte, Presidenti Ilir Meta, deklaroi se “shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre në mbrojtje të Kushtetutës” dhe përmes referendumit të mbrojnë Republikën.