Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se kishte parashikuar që të kandidonte për një mandat të dytë në Presidencë dhe më pas të tërhiqej nga jeta politika duke iu rikthyer karrierës diplomatike.
Në një intervistë për A2, Meta tha se do kishte dashur shumë që të punonte si ambasador në Suedi ose Norvegji, por në kushtet ku ndodhet demokracia në Shqipëri e ka të pamundur dhe do të rikthehet në politikën aktive.
“Unë kisha një plan tjetër, ndoshta të merrja një mandat të dytë dhe më pas të largohesha nga politika. Do të të vijoja karrierën në diplomaci. Kisha plane ambasador në Kopenhagen, ambasador në Suedi, ose ambasador në Norvegji nëse do të hapej aty një ambasadë për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi.
Nëse do të bëja një mandat të dytë në moshën 58-vjeçare dhe për shkak të ligjeve të pensionit do të vijoja të punoja.
Do të doja një karrierë diplomatike në këto vende për shkak të kujtimeve që kam me rininë euro-socialiste dhe për shkak të lidhje dhe me politikanët që kam aty.
Por duke parë rrethanat që janë vendosur në pikëpyetje demokracia dhe fjala e lirë dhe ku është cenuar shteti i së drejtës, kjo është e pamundur”, tha Meta.
I pyetur nëse do të kishte dashur të votohej nga populli për një mandat të dytë, Meta u shpreh: “Unë kam dashur që të votohesha nga populli edhe para 3 vitesh, kur u krijua kriza e djegies së mandateve, kur u krijua kriza e zgjedhjeve lokale. Unë kam thënë se e vetmja zgjidhje është vota. Unë respektoj votën e sovranit. Planet e mia ndryshuan sepse themelet e Republikës janë goditur shumë rëndë. Këtu duhet të bëhet një ndryshim nga themelet”.