Politika Meta zbulon fjalët e Ramës kur e vendosi President

Meta zbulon fjalët e Ramës kur e vendosi President

Presidenti Ilir Meta, duke u rikthye pas në kohë kur u zgjodh president, përmendi jo pa ironi edhe fjalët e kryeministrit Edi Rama, se Meta do të mbronte të drejtat e opozitës

“Që të jemi koherent, kur Edi Rama më ka propozuar mua, në atë kohë opozita ishte futur në çadër. Unë përpiqesha të bënim një marrëveshje dhe Presidentin ta zgjidhnim nga opozita që ta fusnim atë në zgjedhje. Por zoti Rama në vitin 2017, ka thënë: Ne më të mirë se zoti Meta si kandidat për të mbrojtur të drejtat e opozitës nuk kemi ku të gjejmë. Dhe kishte të drejtë, se unë dhe si Kryetar Parlamenti edhe pse isha në koalicion me të, i respektoja maksimalisht të drejtat e opozitës në Parlament”, tha Meta.

Për Metën, Rama nuk kishte asnjë arsye për t’u zhgënjyer më pas. “Ai kishte të drejtë dhe nuk kishte asnjë arsye pse të zhgënjehej më pas. Unë kam thënë në Parlament kur jam zgjedhur, do të vazhdoj të mbetem Ilir Meta, ai studenti i Dhjetorit ‘90. Kam premtuar që midis pushtetit dhe demokracisë, unë do zgjedh demokracinë. Atë që ka bërë Ilir Meta e ka bërë për demokracinë dhe pluralizmin politik”.

Presidenti Ilir Meta komentoi edhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama.

Meta u shpreh se kryeministri Rama ka cënuar interesat dhe sovranitetin e vendit dhe të Kosovës dhe për këtë çështje ndarja me të është shumë e qartë.

“Zoti Rama ka cenuar sovranitetin e vendit dhe të popullit shqiptar. Ka cenuar interesat kombëtare të shqiptarëve, shtetit të Kosovës dhe sigurisht që kemi ndarje shumë të qarta në këtë drejtim. Unë për ndarje ideologjike nuk krijoi marrëdhënie të papajtueshme moralisht me askënd sepse bindjen politike janë e drejtë e kujtdo. Por kur cenohen interesat kombëtare jam i qartë dhe i prerë”, tha Meta në A2 CNN.