Që prej zhurmës e deri të shkaktimi i sëmundjeve të ndryshme, mushkonjat janë insektet më të bezdisshme, por edhe të rrezikshme për njerëzit. Shkenca na ka treguar se ka një sërë sëmundjesh që mund të marrim nga lloje të ndryshme të mushkonjave. Nuk është çudi që të kërkojmë mënyra të ndryshme për t’u mbrojtur nga mushkonjat, sidomos në stinën e verës, kur kërkojmë të kalojmë më shumë kohë në natyrë. Megjithatë, duke qenë të kujdesshëm mund të përdorim mënyra që janë më të shëndetshme, për ne dhe për njerëzit që na rrethojnë se sa, përdorimi i kimikateve të ndryshme që përmbajnë kremrat për largimin e mushkonjave.
Ka produkte të ndryshme që mund të vrasim të gjitha insektet dhe jo vetëm mushkonjat. Këto produkte përmbajnë kimikate aq të fuqishme sa mund të vrasin edhe insektet e rëndësishme, si bletët grerëzat dhe fluturat, mund të dëmtojnë edhe kafshët që ushqehen me insekte të ndryshme, e për rrjedhojë mund të ndikojnë në të gjithë zinxhirin biologjik. Gjithashtu, mund të përbëjnë një rrezik për fëmijët dhe kafshët shtëpiake, duke lënë një mbetje toksike në çdo ambient.
Jennifer Sass, një studiuese e mjedisit dhe pedagoge në universitetin George Washington, shpjegon se edhe pse është shumë e vështirë të heqim dorë nga këto produkte gjatë kësaj stine, duhet të paktën të minimizojmë përdorimin e tyre me anë të mënyrave të tjera për t’u mbrojtur nga mushkonjat.
Sipas saj, një ndër mënyrat më efikase për të parandaluar pickimet e mushkonjave, është shmangja e shëtitjeve të gjata nëpër fusha apo në vendet ku përgjithësisht këto insekte gjejnë habitat për të kryer procesin e tyre biologjik. Por, në rastet kur jeni të detyruar të shkoni në vende të tilla, duhet të keni veshje të përshtatshme, si këpucë të mbyllura, pantallona të gjata dhe këmishë me ngjyrë të zbehtë, duke ekspozuar sa më pak trupin tuaj. Sass shprehet që edhe ngjyra e veshjeve mund të ndikojë në këtë rast, pasi mushkonjat janë insekte që e dallojnë “prenë” e tyre edhe nëpërmjet ngjyrave.
Për sa i përket ambienteve të shtëpisë, pedagogia shprehet se duhet të siguroheni që në këtë periudhë, dritaret dhe dyert t’i keni të mbyllura.
Sipas Sass, një produkt shumë i mirë për të zëvendësuar produktet që përmbajnë kimikate, janë dhe vajrat e ndryshëm esencial, por veçanërisht vaji i limonit, i cili ka aromë të këndshme dhe të fortë. Por, gjithashtu ajo shton edhe faktin se nëse j’u duhet më shumë mbrojtje për lëkurën tuaj mund të përdorni një kremra kundra mushkonjave, por jo në kontakt me lëkurën.
“Sprajte të ndryshme kundër mushkonjave dhe insekteve përmbajnë kimikate të forta kështu që, edhe nëse i hedhim mbi rroba për shëtitje, do të mbajnë larg mushkonjat, por përdorimi i tyre duhet të jetë gjithnjë në sasi shumë të pakët, duhet të siguroheni që produkti ka vetëm 25% diethyltoluamide, përbërësi më i zakonshëm në produktet kundra mushkonjave,”shprehet Sass.
Ndër të tjera, diçka shumë e rëndësishme për të është se, të gjitha informacionet për mënyrat e shëndetshme që kemi për t’u mbrojtur nga mushkonjat, duhet t’ia përcjellim edhe të tjerëve.
Edhe pse jo shumë dashamirëse kundrejt produkteve që përmbajnë kimikate të ndryshme, Sass shprehet se në këtë pikë që bota ka arritur, ku rrethohemi nga një valë e madhe sëmundjesh, natyra ka “dështuar” për të na siguruar një mënyrë se, si të mbrohemi shëndetshëm nga mushkonjave dhe insekteve deri diku të rrezikshme./The Washington Post/