Kryesore Micotaqis, leksion Macronit: Mos e pengoni Shqipërinë, edhe ne mbase s’ishim gati...

Micotaqis, leksion Macronit: Mos e pengoni Shqipërinë, edhe ne mbase s’ishim gati në 1979-ën

Kryeministri grek Kiriakos Micotaqis sfidon presidentin francez Emmanuel Macron në lidhje me përpjekjen e këtij të fundit për të bllokuar zgjerimin e BE.

Në një intervisë dhënë për Financial Times kreu i qeverisë greke i kujton shefit te Elizesë se presidenca franceze dikur u tregua e guximshme për çeljen e negociatave të Greqisë pasi kishte rëndësi gjeostrategjike.

“Unë i referohem historisë së Greqisë. Në vitin 1979 Greqia përfundoi negociatat për t’u bërë anëtare e Komunitetit Ekonomik Europian, sepse presidenti francez, në atë kohë, mori një vendim të guximshëm, duke parë kontekstin dhe rëndësinë e madhe gjeopolitike, që Greqia duhej t’i përkiste Evropës për të kapërcyer traumën e junta-s. A ishte Greqia gati të bashkohej në atë kohë? Kush e di?! Dhe sigurisht që procesi ishte shumë i ndryshëm në atë kohë. Por ishte një vendim gjeopolitik, ishte një vendim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, tha Micotaqis.

Duke marrë shkas nga historia e anëtarësimit në BE të vendit të tij, Micotaqis i bën apel Macron të ndjekë gjurmët e paraardhësve të tij.

“Nëse shikojmë kontekstin e madh gjeopolitik, është shumë e qartë se rruga evropiane duhet të mbahet e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që të plotësojnë kërkesat. Ky nuk është një proces automatik, përndryshe kjo zbrazëti do të mbushet. Shpresoj që ky gabim do të korrigjohet. Unë u shqetësova dhe do të vazhdoj të shqetësohem. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se vendimi i marrë në Këshillin Evropian duhet të rishikohet në vitin 2020”, theksoi Micotakis.