Aktualitet Mijëra apartamente në Tiranë, jemi në prag të kolapsit financiar

Mijëra apartamente në Tiranë, jemi në prag të kolapsit financiar

Ofertat në tregun e apartamenteve në Tiranë sa vijnë e po shtohen, në kontrast me rimet e përshpejtuara të emigracionit. Aktorët e tregut shprehen se ka një mospërputhje mes kërkesës së individëve për shtëpi, të cilët duan çmime ekonomike, dhe atë çka ofrojnë firmat e ndërtimit. Në zonat e qendrës, ku çmimet janë mbi 2000 euro/m², aktorët e tregut paralajmërojnë se rrezikohet flluska. Në 2019-n, qyteti i Tiranës u rendit në vend të 10 si më i shtrenjti në Europë, duke përkeqësuar renditjen në krahasim me një vit më parë. Për më tepër, ndryshimet demografike nuk janë në favor të sektorit, emigracioni, ulja e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë do të tkurrin kërkesën për shtëpi në afat të gjatë…

Në të gjitha zonat e kryeqytetit, firmat e ndërtimit po avancojnë me projektet e tyre, nga ato më të thjeshtat, që kanë në përbërje një ose dy firma ndërtimi, te projektet e mëdha. “Monitor” bëri një vëzhgim të pjesës më të madhe të projekteve që janë në proces ndërtimi në Tiranë. DownTown Albania, një prej shumë kullave që do t’i shtohet ofertës së pasurive të paluajtshme të Tiranës, është ende në një fazë fillestare dhe po ecën me ritme të ngadalta.

Në kantierin e ndërtimit në bulevardin “Bajram Curri”, Kastrati Construction ka hapur themelet e një kulle që do të jetë 137 metra e lartë (mbi 30 kate). Sipas menaxherit të shitjeve të kompanisë, në këtë projekt, çmimet e shitjeve për rezidencë fillojnë nga 2900 euro.

Një tjetër projekt i Kastratit është edhe Garden Residence Turdiu. Sipas planifikimit të projektit, oferta e apartamenteve në Tiranë do të shtohet me rreth 930-950 apartamente të reja deri në vitin 2022, kur të finalizohet. Të interesuar për blerje në këtë kompleks rezidencial na përgjigjet Edmondi, menaxheri i shitjes i kompanisë, i cili thotë se aktualisht firma ka dalë me një çmim më të lirë se sa çmimi i tregut në atë zonë, 800 euro për metër katror.

Një tjetër projekt i madh është në ndërtim e sipër në zonën e “Don Boskos”, “Fiori Di Bosco”. Lorena, menaxhere e shitjeve e këtij projekti, i cili është një bashkëpunim i dy firmave të ndërtimit Matrix Konstruksion” dhe Edil-al, thotë se po aplikojnë një çmim shitje 900 euro për metër në katror deri në fund të janarit me rastin e festave të fundvitit. Pas janarit, çmimi do të jetë 1000 euro për metër katror. Sikurse shpjegon Lorena, në atë zonë nëse blen një apartament në një objekt ende në themel, çmimi është rreth 700 euro dhe shton se në të gjithë Tiranën, çmimet e shtëpive janë rritur 100 deri në 200 euro për metër katror. Në total, ky projekt ka 6 kulla me 9 kate banimi, 2 prej të cilave do të përfundojnë brenda muajit shkurt.

Edhe kompania E-88 sh.p.k. është në përfundim të kullës së parë, nga pesë kulla që ka projektuar që të ndërtojë në Rrugën e Durrësit. Çmimi i shitjes në këtë projekt është 900 euro për metër katror, sipas përfaqësuesit të kompanisë së ndërtimit E-88, i cili u kontaktua nga “Monitor” nëpërmjet telefonit. Te mbikalimi i Unazës së Re, pranë fabrikës së birrës, firma e ndërtimit Milo 2000 po përfundon dy godinat e banimit, me çmim tregu 850 euro dhe sipas përfaqësuesit, janë shitur rreth 70% e apartamenteve.

Punimet vijojnë edhe në projektin Square21 në Rrugën e Kavajës, e cila po ndërtohet nga kompania Arlis Ndërtim. Ky projekt do të shtojë ofertën në Tiranë me rreth 1000 apartamente të reja, me çmim shitje 1200 euro për metër në katror. Firma e ndërtimit Kontakt po zhvillon disa projekte njëkohësisht në Tiranë. Rezidenca e banimit Mangalem21, pranë zonës së “Ali Demit” ka dalë me një çmim shitje 700 euro për metër katror. Kompania e ndërtimit Kontakt ka planifikuar 33 godina banimi në projektin Mangalem21.

Përfaqësues të shitjes në kompaninë Kontakt deklaruan për “Monitor” se tendenca e çmimeve të shitjes së apartamenteve në Tiranë është në rritje. Aktualisht Kontakt po aplikon një çmim shitje 700 euro/m², duke qenë se janë ende në fazën e hedhjes së themelit, por shumë shpejt do të dalin me çmim 800-900 euro për metër në katror. Kontakt po zhvillon dhe një tjetër projekt banimi në zonën e “Siri Kodrës”, projekti SIRI, ku referuar faqes online të kompanisë Kontakt çmimet e banimit në atë projekt nisin nga 850 euro për metër në katror.

Gener2 po nis punimet për projektin Lakeview Residences, i cili do të ketë pesë godina banimi, me 600 njësi. Burime nga kompania thonë se çmimet në këto banesa do të jenë nga 1600 deri në 2200 euro/m² në varësi të pozicionit. Ndërsa për dyqanet, çmimet do të variojnë nga 2500 euro deri në 6000 euro/m². Edhe pse projekti është në fazë fillestare, kompania deklaron se ka pasur kërkesa dhe këto nuk janë kufizuar vetëm nga rezidentë në Shqipëri, apo shqiptarët e diasporës, por ka pasur interesim nga të huajt.

Këto janë vetëm disa nga projektet e ndërtimit në proces ndërtimi në Tiranë. Sipas Albanian Construction Portal, vetëm në qytetin e Tiranës po zhvillohen 227 projekte ndërtimi, ku pjesën më të madhe e zënë ndërtimet e godinave rezidenciale dhe një pjesë të vogël, projektet e infrastrukturës në qytet. Ndërtuesi Hajredin Fratari thotë se nevojat e tregut parashikojnë një kërkesë prej 1000 deri 1500 apartamente për shitje në vit, e cila plotësohet lehtësisht vetëm nëpërmjet ofertës së dy apo tre projekteve të përmendura më sipër. Ndërsa brenda Unazës shiten mesatarisht 100-150 apartamente premium.

Rreziku i mbingopjes në ofertë, paralajmërohet flluskë

Sot nuk ka asnjë studim të mirëfilltë se sa është stoku i apartamenteve në Tiranë. Ekspertët e kanë të pamundur që të bëjnë një vlerësim me sa do të rritet oferta në patundshmëri prej këtyre projekteve të reja, ndërsa vijon që të ketë kërkesë për leje ndërtimi. Arben Dervishi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve në Tiranë, thotë se stoku i apartamenteve në Tiranë është i papërfillshëm dhe shton se nuk kanë nisur të ndërtohen të gjitha lejet e ndërtimit që janë dhënë këto kohë. Një pjesë e mirë e tyre pritet që të nisin gjatë këtij viti ose vitin tjetër.

Dervishi shton se për fatin e keq, ndërtuesit në Shqipëri vijojnë që të ndërtojnë në mënyrë empirike dhe pa studime të mirëfillta për kërkesën në tregun e patundshmërisë në Shqipëri. Sipas raportimeve që ka marrë nga anëtarët e Shoqatës së Ndërtuesve së fundmi ka filluar që të ndihet një rënie në ritmin e shitjeve të apartamenteve në Tiranë. Megjithatë ai shton se Tirana, duke qenë qendër ekonomike e vendit, gjithmonë ushqehet nga prurje të reja në banorë. Qyteti i Tiranës rritet me 26 mijë banorë çdo vit, gati 70 persona në ditë – thotë Dervishi për “Monitor”. Ai argumenton se janë pikërisht këta persona që do të ushqejnë kërkesën për shtëpi në kryeqytet.

Dervishi shprehet pesimist për kullat e larta në qendër të Tiranës dhe paralajmëron se duhet bërë shumë kujdes si nga autoritetet që lëshojnë lejet e ndërtimit, ashtu edhe nga investitorët të cilët kanë vendosur të angazhohen në projekte të cilat kërkojnë shumë vite për t’u mbyllur.

Ai paralajmëron rrezikun e një flluske në rast se nuk bëhet kujdes me mënyrën e menaxhimit të këtyre projekteve dhe me numrin që do të ndërtohen në Tiranë.

Edhe Hajredin Fratari, ndërtues, shprehet se ka një ngopje të tregut në ofertë. “Mendoj se ka një ngopje të tregut në terma të ofertës, por me çfarë po shikoj, të gjithë që po ndërtojnë në qendër po punojnë me para në dorë. Sipas të dhënave të mbledhura, aktualisht në Tiranë janë rreth 25 mijë familje, të cilat për ne janë klientë potencialë. Por, ata kërkojnë apartamente me çmime ekonomike. Konfindustria për të 11 vit radhazi merr në shqyrtim shitjet e apartamenteve në zonën e Tiranës dhe brenda Unazës së kryeqytetit shiten mesatarisht 100-150 apartamente në një vit. Në këtë zonë çmimet fillojnë nga 1200 euro”, – argumenton ai.

Monitor.al