Ornitologët dhe shkencëtarët janë shfaqur konfuzë në lidhje me numrin në rritje të zogjve shtegtues që kanë ngordhur në mënyrë të pashpjegueshme në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mijëra zogj të ngordhur janë parë kudo, në rrugë, parqe dhe deri tek fushat e golfit.
Martha Desmond, profesore në Universitetin New Mexico, e specializuar në ornitologji, tha se flitet për mijëra ekzemplarë zogjsh të ngordhur.
Desmond u shpreh për The New York Times se kurrë nuk e ka parë diçka të tillë.
“Unë grumbullova shumë zogj të ngordhur vetëm disa kilometra larg nga shtëpia ime. Duke parë këtë situatë, duke mbledhur qindra zogj të ngordhur dhe duke kuptuar se sa i përhapur është fenomeni, personalisht më ka mërzitur shumë. Të shohësh kaq shumë specie të ngordhura është një tragjedi kombëtare”, tha Desmond.
Mësohet se shumica e zogjve të gjetur të ngordhur i përkasin specieve që hanë insekte. Këta janë zogj shtegtarë që jetojnë dhe lëvizin në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë disa lloje të zogjve të zinj, dallëndysheve me krahë të gjelbër dhe harabelave.
Përveç numrit të pazakontë të zogjve të ngordhur, shkencëtarët kanë vënë re një sjellje të çuditshme në momentin kur zogjtë ende nuk kanë ngordhur. Për shembull, sipas tyre, dallëndyshet, që zakonisht janë agresive, lejojnë që të ledhatohen, ndërsa zogjtë e tjerë janë aq të shurdhët sa nuk fluturojnë.
Arsyet se pse është shkaktuar një numër kaq i lartë i ngordhjes së zogjve, mbeten për t’u hetuar, por shumë studiues e kanë lidhur një fenomen të tillë me ndryshimet klimaterike.