UASHINGTON – Nënpresidenti Mike Pence gjendet në epiqendër të Kuvendit Kombëtar Republikan si një aleat besnik i Presidentit Donald Trump gjatë pothuajse katër viteve të tyre në krye të qeverisë amerikane.
Fjalimet e tij mbahen nga vendndodhje si Fort McHenry në Baltimorë, të shtetit Merilend, ku ushtarët amerikanë mbrojtën Shtetet e Bashkuara, të sapokrijuara, nga një sulm britanik në vitin 1814, duke frymëzuar kështu edhe krijimin e himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, “The Star-Spangled Banner”. Është një vendndodhje që i përmbahet temës së kuvendit republikan, “Të Nderojmë Historinë Madhështore Amerikane”.
Nënpresidenti Pence ishte relativisht i panjohur në rrafshin kombëtar katër vite më parë, kur Donald Trump, politikan për herë të parë, e përzgjodhi atë si kandidat për nënpresident. Në atë kohë, zoti Pence ishte guvernator i shtetit Indiana, pas një maratone prej gjashtë mandatesh si ligjvënës. Pas një totali prej 16 vitesh, ai kishte ndërtuar një vazhdimësi politike konservatore, por përballej me një garë të vështirë rizgjedhjeje për një tjetër mandat si guvernator.
Kredenciale konservatore
Në atë kohë, zotit Trump i duheshin kredencialet konservatore të zotit Pence për të rritur shanset përballë demokrates Hillary Clinton. Zoti Pence, i martuar me mësuesen Karen për 35 vite, ishte e kundërta e plotë e zotit Trump, një manjat i pasurive të patundshme në Nju Jork dhe drejtues i një spektakli televiziv, i martuar për të tretën herë.
Për më tepër, zoti Pence kishte ndërtuar një lidhje të parivalizuar me të krishterët evangjelistë, një bllok i rëndësishëm votuesish konservatorë, përgjithësisht republikanë, të cilët mund të jenë gati një e katërta e elektoratit amerikan. Me fitoren e tij të vitit 2016, zoti Trump fitoi një pjesë të madhe të votave evangjeliste, të atribuar jo pak përzgjedhjes së zotit Pence në dyshen e kandidatëve republikanë.
Që në ditët e tij të para si politikan, zoti Pence e ka përshkruar veten si “i krishterë, konservator dhe republikan, sipas kësaj radhe”.
Besnikëri e jashtëzakonshme ndaj Presidentit Trump
Pasi shërbeu si numri dy në Shtëpinë e Bardhë, Nënpresidenti Pence mund të përqafojë tashmë edhe një karakteristikë të katërt si pjesë të biografisë së tij: besnikërinë e jashtëzakonshme ndaj Presidentit Trump, ndërsa kërkojnë së bashku rizgjedhjen përballë ish-Nënpresidentit Joe Biden dhe kandidates për nënpresidente, Senatoren nga Kalifornia, Kamala Harris. Zoti Pence dhe zonja Harris pritet të debatojnë më 7 tetor, ndërkohë që zoti Trump dhe zoti Biden do debatojnë tre herë, duke filluar nga fundi i shtatorit.
Nënpresidenti Pence rrallë ka humbur mundësinë të lavdërojë shefin e tij, Presidentin Trump.
Një kritikë e rrallë
Megjithatë, në një kritikë të rrallë gjatë fushatës së vitit 2016, pasi qarkulloi një video ku zoti Trump bënte komente ofenduese për gratë, zoti Pence tha se “Nuk i mbështes dot fjalët e tij dhe nuk mundem t’i mbroj”. Por, në rolin e nënpresidentit, zoti Pence vazhdimisht fillon fjalimet e tij politike duke lavdëruar njeriun që e vendosi në epiqendër të skenës politike, me fraza të tilla si “Nën udhëheqjen e Presidentit Trump…” .
Në një takim të kabinetit qeveritar në vitin 2017, Nënpresidenti Pence bëri 14 lëvdata të veçanta për Presidentin Trump, i ulur përballë tij, në më pak se 3 minuta – pra një në çdo 12 sekonda.
“Keni ndezur në këtë vend një optimizëm që po arrin rekord”, i tha Nënpresidenti Pence, Presidentit Trump. “Jam thellësisht i përunjur, si nënpresidenti juaj, të kem mundësinë të gjendem këtu”.
Përfshirja në politikë në shtetin e tij Indiana
61-vjeçari Pence u rrit në Indiana, ku u diplomua në degën juridik dhe ku ushtroi për ca kohë profesionin e juristit, përpara se t’i futej politikës. Ai humbi në dy garat e para për ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve, në vitin 1988 dhe 1990, por mbajti të pranishëm zërin e tij dhe pamjen për banorët e Indianas, duke drejtuar emisione konservatore në radio dhe në televizion, gjatë periudhës 1994 – 1999.
Më në fund, ai fitoi në vitin 2000 mandatin e parë, nga gjashtë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve, ku krijoi një vazhdimësi të përkushtuar votimi konservator dhe ngjiti shkallët e hierarkisë republikane. Gjatë një mandati, ai ishte kryetar i Komitetit të Studimeve Republikane, një grup ligjvënësish konservatorë, por humbi garën për të drejtuar opozitën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve që kontrollohej nga demokratët. Gjatë 12 viteve të tij në Dhomën e Përfaqësuesve, ai hartoi 90 projektligje dhe rezoluta, por asnjë prej tyre nuk arriti të miratohej.
Posti i guvernatorit
Zoti Pence fitoi garën për guvernator të Indianës në vitin 2012 dhe ndërtoi sërish një vijimësi konservatore. Ai nënshkroi në fuqi masa ligjore për kufizimin e aborteve dhe uljen e taksave, si dhe një ligj që ia ndaloi qeverisjes lokale të detyrojë bizneset të paguajnë paga më të larta për punonjësit se ç’kërkon ligji federal.
Në një rast që mori vëmendje kombëtare, zoti Pence nënshkroi në fuqi një masë ligjore, të quajtur Ligji për Rikthimin e Lirisë Fetare, që u lejonte individëve dhe kompanive të përdornin në procedura ligjore argumentin mbrojtës se ushtrimi i besimit të tyre mund të dëmtohej nëse u kërkohej t’i trajtonin të gjithë klientët njëlloj gjatë veprimtarisë tregtare. Konservatorët në shtetin e tij dhe gjetiu e panë ligjin si një mënyrë për të kontestuar legalizmin e martesave brenda të njëjtës gjini.
Tërheqja politike
Pas protestave të zëshme nga republikanë të moderuar dhe biznese që thanë se nuk do të çelnin aktivitet në këtë shtet, zoti Pence u tërhoq dhe ndryshoi ligjin, duke e ndaluar diskriminimin bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Kryesimi i grupit të punës për koronavirusin
Ndërsa koronavirusi përfshiu Shtetet e Bashkuara në fillimin e vitit 2020, Presidenti Trump i dha Nënpresidentit Pence rolin e tij më të madh deri më tani, atë të mbikqyrjes së përpjekjeve të qeverisë për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe koordinimin e përpjekjeve për teste dhe ilaçe, ndërsa do të fillohej edhe puna kërkimore për zhvillimin e një vaksine.
Për disa ditë me radhë, Nënpresidenti Pence kryesoi takimet e grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë dhe shpesh informoi vendin për luftën ndaj virusit në seancat e përditshme të informimit të transmetuara nga rrjetet televizive kombëtare. Por Presidenti Trump, i gjendur në një përballje të vështirë me zotin Biden, mori përsipër konferencat e përditshme për informim dhe deklaroi shpesh se virusi ishte nën kontroll, ose se do të vendosej së shpejti nën kontroll, dhe se një vaksinë do të bëhej gati përpara fundit të vitit 2020.
Një këndvështrim më rozë
Nënpresidenti Pence gjithashtu përqafoi shpesh një këndvështrim më rozë për gjendjen e virusit në Shtetet e Bashkuara, megjithëse dhjetëra mijëra amerikanë humbnin jetën dhe dhjetëra milionë punonjës humbën vendet e punës.
Nënpresidenti Pence përsëriti deklaratat e Presidentit Trump se numri i rasteve të të infektuarve në Shtetet e Bashkuara po rritej pasi në vend po zhvilloheshin më shumë testime, një argument që nuk merrte parasysh se nga qershori virusi po rritej sërish në qytete dhe shtete që përgjithësisht i kishin shpëtuar përhapjes fillestare në muajt mars dhe prill. Në takime private me senatorë republikanë, Nënpresidenti Pence u bënte thirrje të fokusoheshin tek “shenjat inkurajuese” në betejën e vendit me virusin.
Në mesin e qershorit, Nënpresidenti Pence u shpreh në një artikull në gazetën “The Wall Street Journal” se paniku për koronavirusin ishte “i tepruar”.
Ai deklaroi se “falë udhëheqjes së Presidentit Trump dhe kurajos dhe përkushtimit të popullit amerikan, sistemi ynë i shëndetit publik është shumë më i fortë se katër muaj më parë, dhe ne po fitojmë luftën ndaj armikut të padukshëm”.
“Kemi ngadalësuar përhapjen, jemi kujdesur për më të prekshmit, kemi shpëtuar jetë dhe kemi krijuar themele të forta për çdo lloj sfide me të cilën mund të përballemi në të ardhmen”, konkludonte ai. “Kjo është diçka për t’u festuar dhe jo për t’u alarmuar nga mediat”.
Pandemia e ngadalësuar, jo e tërhequr
Megjithë këndvështrimin e Nënpresidentit Pence, vala e pandemisë vetëm sa është ngadalësuar, por nuk është tërhequr. Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara tani ka kaluar mbi 177 mijë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, dhe numri i rasteve të konfirmuara është mbi 5.7 milionë – të dyja këto shifra janë më të lartat se në çdo vend tjetër./VOA